Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE –Përfshirja e majorit të Ushtrisë, Sokol Feka, në trafikun e drogës jashtë kufijve të Shqipërisë, u ka kushtuar vendin e punës 6 oficerëve të Forcave të Armatosura. Me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, prej tri ditësh, 6 oficerë të kësaj strukture janë liruar nga detyra dhe kanë dalë në dispozicion. Burime pranë FA-ve bëjnë me dije se prej tri ditësh, 2 oficerëve të Policisë Ushtarake dhe 4 të tjerëve nga Forcat Ajrore iu është komunikuar urdhri, sipas të cilit, ushtarakët janë liruar nga detyra dhe janë vënë në dispozicion të Forcave të Armatosura. Mësohet se urdhri ka ardhur pas ngjarjes së një jave më parë, teksa në Spanjë gjeti vdekjen majori shqiptar Sokol Feka, i cili pilotonte një helikopter të mbushur me drogë.
Largimet
Burime të sigurta nga Forcat e Armatosura sqaro-jnë se 2 prej ushtarakëve që janë liruar nga detyra kanë pasur përgjegjësi si inspektorë krimesh për të mbuluar repartin e helikopterëve në Farkë, aty edhe ku majori Feka punonte si instruktor, ndërsa katër oficerët e tjerë të liruar nga detyra janë pjesë e Forcave Ajrore. Burimet pranë Ministrisë së Mbrojtjes shprehen se tek urdhri që iu është komunikuar 6 ushtarakëve nuk është shënuar motivacioni, por nën zë atyre iu është thënë se mbajnë përgjegjësi për përfshirjen e majorit Feka në trafikun e drogës. Kështu, 4 oficerëve të Forcave Ajrore iu është komunikuar se përgjegjësia më e madhe për ngjarjen bie mbi ta, ndërsa 2 oficerët e Policisë Ushtarake mbajnë përgjegjësi pasi, pas vizitës së fundit që Feka kishte bërë në Londër, ata të dy nuk kanë raportuar pranë autoriteteve përkatëse se Feka ishte kthyer me vonesë, ndërkohë që në punë rezultonte fiktivisht se ishte kthyer nga shërbimi. “Gazeta Shqiptare” ka kontaktuar ditën e djeshme me Ministrinë e Mbrojtjes, por nuk ka mundur që të marrë një përgjigje për këtë ngjarje. Ndërsa, në një komunikim telefonik, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi u shpreh se nuk kishte dijeni për këto ndryshime. “Nuk kam dijeni për këto ndryshime. Por, nëse do ishin marrë masa të tilla, ato do ishin bërë publike”, – sqaroi zëvendësministri i Mbrojtjes për “GSH”.
NGJARJA
Mediat spanjolle raportuan se rreth orës 05:00 të datës 28 janar, një helikopter BO-105, i ngarkuar me hashash është rrëzuar në provincën e Malagës, pas përplasjes me shtyllat e tensionit të lartë. Mediat spanjolle shkruan se trupat e pajetë janë dërguar në morgun e spitalit të Malagës për identifikim. “Incidenti ndodhi pasi një helikopter i rojeve civile u përpoq që të zbulonte një helikopter të maskuar që po kryente një fluturim të paautorizuar. Gjatë ndjekjes, policia humbi gjurmët e të dyshuarve dhe u kthyen në bazë. Por në mëngjes ata u rikthyen në zonë ku ishte parë helikopteri për herë të fundit dhe zbuluan se ai ishte rrëzuar. Helikopteri ishte ndarë në disa pjesë, ndërsa më tej ishin dy trupat e pajetë të pilotëve si dhe 30 pako hashah”, shkruan media spanjolle “Malagahoy.es”. Sipas portaleve të mediave spanjolle, edhe pse policia po heton ende për të zbuluar prejardhjen e drogës, dyshohet se ajo vinte nga Maroku.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: