NGA: XHENSILA KODRA
Tri javë pasi Edmond Koseni fitoj “betejën” me Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, kjo e fundit është duke shqyrtuar mundësinë e rikthimit të tij në detyrë. Në një reagim zyrtar për “Gazeta Shqiptare”, Policia e Shtetit dje bëri me dije se është në proces shqyrtimi për të zbatuar vendimin e gjykatës përsa i përket pjesës financiare edhe për rikthimin e tij në punë. Kjo, në bazë të konvertimit të gradës që është bërë në bazë të ligjit për policinë në vitin 2008. Po ashtu, burimet e mësipërme sqaruan se pagesa ndaj Kosenit do të bëhet në fillim të vitit që vjen, pasi shuma do të jetë e parashikuar edhe në buxhetin e policisë. Ndërkohë, pritet që ish-“Komisari i Hekurt” të emërohet në një nga komisariatet e vendit, ku ka vend të lirë pune.

Nga ana tjetër, Edmond Koseni i kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” tha se është i gatshëm të shkojë atje ku do ta emërojnë. “Do të shkoj kudo që do të më emërojnë, nuk e kam problem se në cilin qytet të Shqipërisë. E rëndësishme për mua është rikthimi në radhët e policisë dhe në të njëjtën gradë e pozicionin që kam pasur, pasi kudo që të jem, do të jem i përkushtuar në punën time”, tha ai. Ndërsa, i pyetur nëse pas vendimit të gjykatës ka kontaktuar me drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, Koseni tha: “Unë u kam çuar dokumentet, të gjitha vendimet, atë të Gjykatës së Apelit, të Gjykatës së Lartë, si të Penales dhe të Civiles që i kam fituar. U kam bërë edhe një kërkesë me anë të avokatit tim për rikthim në detyrë. Një kopje ia kam nisur ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit dhe një tjetër drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakos. Tashmë jam duke pritur përgjigjen e tyre. U kam lënë edhe numrin e telefonit dhe jam në pritje. Kam 16 vite që pres të rikthehem në radhët e policisë”. Sipas vendimit, Edmond Koseni do të paguhet që nga dhjetori i vitit 2005 e deri në momentin që do të futet në punë. Ai u bë i njohur në 1997, kur u shpalli “luftë” bandave të armatosura të Shqipërisë së Mesme.

VENDIMI
Më datë 19 Nëntor të këtij viti, Gjykata e Tiranës nxori një urdhër ekzekutimi për rikthimin në detyrë të Edmond Kosenit, ish-drejtor i policisë së Elbasanit në vitin 1997, i njohur ndryshe si “Komisari i hekurt”, me të njëjtën gradë që kishte në vitin 2005 kur u pezullua nga detyra. Kështu, me vendim të Gjykatës së Tiranës, Koseni fitoi të drejtën për të marrë të gjitha pagat që nga koha kur ishte pezulluar nga detyra. Ndërkohë, vendimi i gjykatës më 19 nëntor detyron Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit ta sistemojë atë në të njëjtin pozicion që kishte përpara pezullimit. Edmond Koseni u pezullua nga detyra në dhjetor të vitit 2001 për shkak të një procesi penal kundër tij. Edhe pse nga ky proces Koseni u shpall i pafajshëm, u la pas dore nga krerë të lartë të policisë duke mos e rikthyer sërish në detyrë. Duke u nisur nga kjo situatë, Edmond Koseni u detyrua të punojë në disa kompani private dhe njëkohësisht iu fut kalvarit të proceseve gjyqësore, duke kërkuar që të rikthehej në detyrë. “Komisari i hekurt” ka qenë punonjës i Policisë së Shtetit dhe së fundmi ka kryer detyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut Elbasan.

Gjatë kësaj kohe ndaj tij filloi një procedim penal, ku u akuzua se kishte kryer veprën penale të “Torturës me pasoja të rënda”, në bashkëpunim. Në këto kushte, me urdhrin nr. 3727, datë 23 dhjetor 2001 të Ministrittë Rendit Publik, Koseni u pezullua nga detyra deri në përfundimin e çështjes penale, me motivacionin “Për shkelje të rënda në detyrë”. Në këtë procedim penal, ndaj tij u caktua masa e sigurimit personal “arrest me burg”, ndërsa me vendimin e nëntorit 2003 të Gjykatës Elbasan, rezulton se Koseni është deklaruar i pafajshëm për akuzën e “torturës” dhe është pushuar çështja penale, lidhur me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”. Pas marrjes së pafajësisë nga gjykata e Elbasanit, Koseni i ka kërkuar palës së paditur që ta rikthejë në punë, por pasi iu refuzua kjo kërkesë, ai ngriti padinë objekt gjykimi. Në qershor të vitit 2012, Edmond Koseni fitoi gjyqin në Gjykatën e Apelit.
(Gazeta Shqiptare)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: