Operacionet rrugore Blic kanë nisur që prej ditës së djeshme në qytetet kryesore të vendit. Sot, në orën 12:30, tek Ura e Dajlanit në hyrje të qytetit bregdetar të Durrësit, do të jetë i pranishëm Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Gjirokastër
Operacioni “Blici rrugor”, u shtri dhe në akset kryesore të qytetit të Gjirokastrës. Operacioni nis në ora 12:00 dhe zgjat deri në orën 14:00. “Aksioni synon goditjen e paligjshmërisë, kryesisht atë që lidhet me zbatimin e nenit 170 të Kodit Rrugor, për mos-vendosjen e rripit të sigurimit,” shkruhet në njoftimin e policisë

Vlorë
Në kuadër të masave të marra për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë publike, Policia e Vlorës ka ushtruar kontrolle të bafasishme kundër paligjshmërive, ku në bazë të tyre ka konstatuar dhe ka arrestuar në flagrancë një person për armëmbajtje pa leje. Eduard Xhezo, 31 vjeç, banues në Vlorë u arrestua në lagjen “24 Maji”, pasi gjatë kontrollit fizik që i është bërë këtij shtetasi, shërbimet e policisë i kanë gjetur të fshehur në trup një armë zjarri të llojit Pistoletë-Çeke, e mbushur me një krëhër me 15 copë fishekë të kalibrit 9 mm, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Kontrolle të tilla do të vazhdojnë të ushtrohen edhe në ditët në vijim. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli dhe në Përmet,Tepelenë, Këlcyrë dhe Memaliaj.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: