Emanuele Morganti, 20-vjeçari i vrarë në Alatri ishte viktimë i disa sulmeve në kohë të ndryshme por jo nga shqiptarë. Këtë gjë e sqaron kreu i Prokurorisë së Frosinones, Giuseppe De Falco. Ai nënvizon se “çështja është e frikshme sepse për motive banale, një zënkë për një pije u arrit deri në vrasjen e një djali të pafajshëm dhe të respektuar”.

“E gjithë ngjarja ka ndodhur për një grindje në diskotekë por jo me një djalë shqiptar”, – pohoi prokurori italian De Falco.
Ai tha se janë arrestuar dy shtetas italianë, vëllezër, dhe janë vënë nën hetim 7 persona të tjerë.

“Dy të ndaluarit, – shpjegon prokurori- janë autorë të agresionit vdekjeprurës, që ka shkaktuar lëndime fatale në kokë për Emanuelen. Ndaj tyre janë zbuluar të dhëna të rënda. Në dritën e hetimeve, rezulton se ata kishin sjellje të dhunshme”, e cila ka çuar dhe në vdekjen e shpejtë të të riut. Për dy të ndaluarit M.C., 27 vjeç dhe P.P., 20 vjeç, të dy italiane, akuza është “vrasje me paramendim” në kushtet e rënduara për motive të dobëta. Nuk ka marrë pjesë në masakër, burri i dehur i sherrit në diskotekë për një pije. Vetëm Emanuele është larguar, ndërsa i dehuri i sherri, italian dhe ai ka mbetur në lokal. Gjithsej nën hetim janë 7 persona.

MOTIVI
Sa i përket dy të ndaluarve që janë vëllezër, prokurori shpjegoi se “janë pjesë e ambienteve delinkuente dhe nuk përjashtohet mundësia që kanë pasur si qëllim të konfirmojnë aftësinë e tyre për kontrollin e territorit dhe jemi duke verifikuar nëse sjellja e dhunshme është nxitur edhe nga abuzimi me alkool dhe drogë”.

Të dy ishin në Romë në shtëpinë e një të afërmi, në tentativë për t’u fshehur pas sulmit, ndërsa ndiqeshin nga miqtë e Emanueles. Ata nuk ishin të armatosur dhe nuk bënë rezistencë ndaj policisë.

DETAJET E NGJARJES
“Pasi doli nga lokali dhe në vende të ndryshme ka pasur më shumë sulme nga disa persona, me mënyra të ndryshme dhe me intensitet të ndryshëm”, ka saktësuar prokurori De Falco.

“Pas sulmit të parë, Emanuele është përpjekur të largohet por është ndjekur, më pas është kthyer për të marrë të dashurën dhe është sulmuar sërish”.

Prokurori De Falco ka deklaruar se Emanuelle është sulmuar dhe qëlluar me një shufër hekuri dhe një tub që nuk janë gjetur kurrë. Pavarësisht të dhënave konkrete për dy të ndaluarit, ka ende për të hetuar. Kemi dëgjuar dhjetëra persona dhe versionet janë kontradiktore. Por rindërtojmë gjithçka për të kuptuar kush është përfshirë në sulm”.

Mes personave që janë marrë në pyetje, “shumë ishin hezitues, disa konspirativ, të tjerë të sugjestionuar nga ngjarja e rëndë dhe konfuze, dhe kjo mund të ketë sjellë memorizime jo të besueshme”.

APELI I POLICISË
“Kush ka parë diçka të na ndihmojë”. “Një numër i madh personash ka asistuar në rrahjen e të riut”, thotë komandanti i karabinierëve të Frosinone, Giuseppe Tuçio.

“Iu kërkojmë të rinjve të kenë besim tek forcat e rendit dhe në institucione dhe të na tregojnë të gjitha faktet që mund të na ndihmojnë në hetime”.

Ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e së premtes pranë një diskoteke të njohur të qytetit të Alatrit. 20-vjeçari italian është rrahur me mjete të forta deri në thyerjen e kafkës me pasojë vdekjen e tij. Trupi i tij është tërhequr si trofe nëpër rrugët e Alatrit. Pas 36 orësh agoni Emanuele Morgani ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit.

Ndaj kësaj ngjarje të rëndë është prononcuar dhe vetë Presidenti i Republikës Italiane Sergio Mattarella duke u shprehur: “kurrë më dhunë si në ngjarjen e Alatrit. Të luftojmë së bashku dhunën që shpërndahet në internet, por dhe dhunën në marrëdhëniet humane”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb