TIRANE-Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Projektit PAZA 2 për “Kontrollin e Sëmundjeve Zoonotike” prezantuan sot, fushatën kombëtare të vaksinimit kundër brucelozës dhe tërbimit, e cila është në fazën e tretë të aplikimit në Shqipëri.

Ashtu si edhe në vitet e shkuara, edhe në këtë fushatë, PAZA në bashkëpunim me MAS do të trajnojnë mësuesit, të cilët më pas do të jenë përçuesit kryesorë të mesazheve që fëmijët duhet të dinë për vaksinimin kundër tërbimit, si dhe do të shpërndajnë materiale informuese në të gjitha shkollat e Shqipërisë.

E pranishme në prezantimin e projektit në MAS, zv/ministrja Nora Malaj tha se kjo fushatë ka si qëllim jo vetëm përçimin e dijes brenda orarit mësimor, por edhe projektimin e edukatës qytetare pas orës së mësimit për të gjithë komunitetin.

“Mësuesit do të organizojnë takimin e informimit në shkollat e tyre në datat e propozuara nga projekti PAZA. Gjatë takimeve do të informohen nxënësit rreth sëmundjeve të brucelozës dhe tërbimit si dhe rreth fushatës së vaksinimit”, tha Malaj.

Shëndeti i kafshëve shtëpiake dhe të egra është po aq i rëndësishëm sa shëndeti i njerëzve. Një prej rreziqeve kryesore që kanë njerëzit janë sëmundjet, infeksionet dhe shqetësimet shëndetësore që kanë si burim kafshët.

Në këtë kuadër, gjatë javëve në vijim pritet të zhvillohen fazat e radhës e fushatës kombëtare të vaksinimit kundër brucelozës dhe kundër tërbimit. Në luftën kundër sëmundjeve zoonotike, Projekti PAZA do të zhvillojë gjatë këtij viti fushata kombëtare të vaksinimit të bagëtive të imta dhe dhelprave.

Faza e tretë e fushatës së vaksinimit do të kryhet gjatë muajit maj 2015. Gjatë fushatës së vaksinimit aeroplanë të vegjël do të shpërndajnë vaksina mbi të gjithë territorin e Shqipërisë.

Fushata realizohet nën moton: “Shëndeti i kafshëve + Shëndeti i njeriut = Një shëndet”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: