Shoqata e Botuesve Shqiptarë ka ngritur shqetësimin në lidhje me pasurimin e bibliotekave shkollore nga ana e Ministrisë së Arsimit.

Në reagim sqarohet se në vitin 2020 u akorduan 20 milionë lekë për pasurimin e bibliotekave, por gjatë këtij procesi u konstatuan shumë dobësi. Mes të tjerash shoqata sqaron se për vitin 2023 është premtuar një tjetër fond prej 25 milionë lekë. Po ashtu shoqata e botuesve sugjeron që MAS të punojë e të luftojë që në buxhetin e vitit 2024, të ketë të paktën 50 milionë lekë, sepse gjendja e bibliotekave shkollore mbetet shumë e dobët.

REAGIMI I SHOQATËS SË BOTUESVE SHQIPTARË
Pasurimi i bibliotekave shkollore nga MAS
Një përpjekje, por me disa dobësi të përsëritura…
Në procesin e pasurimit të bibliotekave shkollore gjatë vitit 2022 (20 milion lekë) u konstatuan shumë dobësi, të cilat shoqata i bëri publike. U duk se pati një përpjekje nga MAS për ta përmirësuar procesin, por plot të meta dhe me shumë vështirësi në komunikim. Është premtuar për një fond 25 milion lekë për vitin 2023, që ne botuesit shpresojmë shumë të realizohet.
Tani jemi pothuajse në përfundim të procesit të pasurimit për këtë vit. Duket se ka mbaruar në tre nga DAR-et: Fier, Korçë dhe Lezhë. Pritet edhe Durrësi.
Me keqardhje vërejmë mungesa në përcaktimin e rregullave dhe të afateve të shpallura në kohë dhe i transparencës që do e ndihmonte këtë proces shumë të rëndësishëm, në radhë të parë për shkollën.
I gjithë procesi është konfuz dhe i nxituar për shkak të vonesave. Gjëra që nuk janë bërë për javë e muaj nga administratat me një tufë punonjësish, u kërkohen shtëpive botuese të bëhen për pak ditë. 17 dokumente dhe vërtetime e noterizime e deklarime. Shumë gjëra që mund të shmangen.
Sikundër edhe në vitin 2022, përsëri ka një preferencë të dukshme për shtëpitë
botuese të teksteve shkollore.
Sa për ilustrim, deri tani: DAR Korçë u jep 5 botuesve shkollorë, 55.7 % të fondit total. DAR Fier 44.3 %, DAR Lezhë 48.6 %. Të presim e të shohim DAR Durrës. Nuk duam të gjejmë arsyet, por është e sigurt që kolegët që nuk merren me botime shkollore, kanë libra dhe tituj shumë të mirë e të përshtatshëm për nxënësit.
Në pasurimin e vitit 2022, gjithsesi, këto shifra kanë qenë edhe më favorizuese për botuesit shkollorë.
Të kuptohemi, vërejtja nuk është për kolegët e botimeve shkollore! Ata sigurisht përpiqen për interesat e biznesit të tyre. Por, mendojmë se MAS, dhe posaçërisht Drejtoria e Arsimit Parauniversitar në MAS, duhet ta analizojë këtë situatë dhe ta kthejë në favor e në dobi të interesave të nxënësve, jo të botuesve. Themi, me shumë siguri, që në këtë mënyrë, bibliotekat shkollore nuk po pasurohen me shumë tituj e autorë nga më të mirët. Mendojmë se duhen vendosur ura komunikimi e bashkëpunimi mes MAS dhe Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, në mënyrë që shkolla, nxënësit e mësuesit, të marrim më shumë dhe më cilësisht.
Shpresojmë shumë që MAS të punojë e të luftojë që në buxhetin e vitit 2024, të ketë të paktën 50 milionë lekë, sepse gjendja e bibliotekave shkollore mbetet shumë e dobët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb