KURBIN- Zbardhet dëshmia e tre kushërinjve nga Kurbini të arrestuar një ditë më parë pasi dyshohet të kenë qëlluar me armë në lagjen Sanxhak, ku u gjet i vrarë me një plumb në kokë 16-vjeçari Klejdi Gjeta.
“BalkanWeb” mëson se Alban Lika, 25 vjeç, Ernis Lika, 20 vjeç dhe Arber Lika, 18 vjeç kanë pranuar të kenë udhëtuar me mjetin tip Benz natën e ndërrimit të viteve, ndërsa për të festuar kanë qëlluar me armë në ajër.
“Qëlluam me armë në ajër për të festuar”,- mësohet të jenë shprehur ata.
Por, ndërsa policia pret të gjejë armën me të cilën ata kanë qëlluar në ajër, të tre kushërinjtë kanë kyçur gojën, sa i përket vendndodhjes së saj. Burime pranë policisë së Laçit bëjnë me dije për “BalkanWeb” se vijojnë kërkimet për armën, pasi vetëm ekspertiza balistike e saj mund të zbardhte ngjarjen.
ARRESTIMI
“BalkanWeb” mësoi një ditë më parë tre kushërinjtë Lika, ashtu si edhe të rinj të tjerë nga Laçi e Shkodra kanë publikuar video nga momenti kur qëllonin me armë në rrjetet sociale. Sipas policisë këta persona kanë qëlluar me armë pranë lagjes “Sanxhak” ku humbi jetën 16-vjeçari Klejdi Gjeta, i cili kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të hedhur fishekzjarrë.
NGJARJA
Mbrëmjen e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor Klejdi Gjeta u çua nga tavolina e festës familjare për të ndjekur nga tarraca e shtëpisë festën e fishekzjarreve, por nuk u kthyer më kurrë. Ishin familjarët ata që gjetën të riun me plagë në kokë mbi tarracë. Ndonëse shpejtuan t’i japin ndihën e parë ai nuk mundi të mbijetonte. Nga ekspertiza e një dite më parë mbi trupin e 16-vjeçarit rezultoi se ai ishte goditur nga një plumb, me shumë gjasa qorr, por që i ka shkaktuar vdekjen.
(m.a/BalkanWeb)
