Nga: BESNIK BAKIU*TIRANE-Pas dështimit për dekomunistizimin e shoqërisë, proces ky sa tragjik aq edhe komik, i turpshëm po aq sa edhe historik (nëse do të ishtepërmbushur me sukses), sot, të gjithë, politika, shoqëria civile, media, si të zgjuar nga letargjia çerekshekullore, flasin njëzëri “të dekriminalizohet politika”. Paradoksalisht, është ajo, politika, më e pamoralshmja dhe më nderhumbura, ajo që çirret më shumë. Por le të hedhim pak dritë se ç’është dekriminalizimi, ky term që na e referojnë si akt të domosdoshëm instancat evropiane, që na e përmendin seksionet përkatëse të ambasadave, që e kemi shndërruar në kryetemë të jetës parlamentare dhe në menu të ditës në bisedat tona.

Thënë thjesht, dekriminalizimi është nxjerrja e personave me rekorde kriminale nga jeta institucionale politike, dëbimi i tyre nga instancat e përfaqësimit publik. Duket sikur të gjithë jemi në një mendje për ta kryer dekriminalizimin, por në fakt jemi në një mendje për tjetër gjë. Me shpallje apo me heshtje kemi rënë dakord që ta përdhosim edhe këtë proces, duke e shndërruar në retorikë, propagandë dhe demagogji. Sikur të ndodhte kështu (them “sikur”, pasi ka ende shpresë), kjo do të ishte edhe një tjetër dëshmi e dështimit tonë si individë dhe si shoqëri. Po përpara se të pyesim se si, me ç’mjete dhe me ç’metoda do ta kryejmë dekriminalizimin, le t’i përgjigjemi pyetjes se, si mbërritën të kriminuarit në strukturat më të larta të përfaqësimit të shoqërisë sonë? Nga erdhën? Kush i thirri? Si e gjetën guximin për të hyrë në jetën publike? Po guximin për të sulmuar dhe retorikën për t’u mbrojtur, ku e morën dhe ku e mësuan? Makineria e së keqes mbahet në këmbë nga padrejtësia. Pjesë e padrejtësisë bëhet paraja e nxjerrë prej grabitjes masive të pasurisë shtetërore, bëhet paraja e krijuar prej rrëmbimit të pasurive natyrore, prej zhvatjes sistematike të qytetarëve nëpërmjet ryshfeteve, prej abuzimit, korrupsionit, trafiqeve dhe prostitucionit, për të cilat na ka shkuar zulma deri në Hollywood. Pjesë e padrejtësisë bëhen edhe interesi dritëshkurtër, kompromisi momental, heshtja, frika, implikimi. Po si mbërritën kriminelët deri në këto përfaqësime të larta shoqërore? Disa thonë se kriminelët hynë në politikë për t’u mbrojtur dhe për ta pastruar të shkuarën kriminale. Të tjerë thonë se vetë politika është magneti që, për të ndenjur në pushtet (përmes forcës dhe parasë), thith këtë kontingjent. Por analizat e prejardhjes bëhen të kota përderisa ata janë aty, në Parlament, dhe prej aty të shumëfishuar në çdo qelizë të jetës sonë. Po a mund t’u besohet ky mision vetëm politikanëve? A nuk ishin politikanët ata që futën në Kuvendin e Shqipërisë njerëz të hurit e të hanxharit, individë pa emër dhe pa asnjë lloj formimi e kontributi politik, publik e atdhetar? A nuk ishin vetë ata, që manipuluan deri edhe strukturat e partisë për t’i sjellë në foltoren e kombit ata njerëz me cilësi të rralluara morale, kulturore e profesionale, të cilët vetëm rastësia, interesat e ulëta dhe vende në kriza të thella morale, si Shqipëria, mund t’i nxjerrë në krye të vendit? Jo vetëm në Parlament, por edhe në qeverisjen vendore të kryetarëve të bashkive dhe komunave, prej 25 vjetësh kandidohet e mbështetet vetëm ky profil shkatërrimtar dhe pa asnjë pikë dëshire për punë e dashurie për vendin, por që ka krijuar pandehmën se ky është politikani dhe qeveritari, të cilin duhet ta pranojmë me apo pa dëshirë.

Kjo që po përshkruaj nuk është një gjendje sinoptike, është realitet i pranuar nga faktori i brendshëm dhe ai ndërkombëtar. Përmendim Rezolutën e Parlamentit në fundin e vitit 2014, e cila shprehej se “do të dekriminalizojmë së bashku në konsensus parlamentin”. Kujtojmë edhe deklaratat e herëpashershme të Ambasadës së SHBA-ve se “…nxisim të gjitha partitë politike të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive”, apo kujtesën e fundit të Komisionerit të KE, Johannes Hahn për politikën tonë, “…për të mënjanuar personat e akuzuar për veprimtari kriminale, nga funksionet publike”. Këtyre u bashkëngjisim edhe Qarkoren e Konferencës Ipeshkvore, ku kërkohet që “dekriminalizimi duhet bërë përpara zgjedhjeve vendore të 21 qershorit”. Këtyre zërave u shtojmë edhe krijimin e komisionit të posaçëm parlamentar. Shqetësimi ka shkuar shumë lart. Sekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kerri, duke folur për këtë fenomen thekson se “në Shtetet e Ballkanit… aspiratat e qytetarëve po shtypen nën barrën e korrupsionit, të interesave oligarkike dhe interesave që përdorin paranë…, për të blerë politikanët, grupet mediatike dhe pavarësinë e gjyqësorit.” Sëmundja luftohet aty ku lind dhe jo aty ku shfaqet e përhapur. Mitra që e mbajti, barku që e polli është jeta politike, politikanët, ata që shfaqen në foltore dhe ata që struken pas kartonit. Në mënyrë tinëzare bëhet sikur harrohet se kjo është zanafilla e problemit. Politika, pushteti dhe (pa)drejtësia si pushtet e prishin shtetin, ashtu dhe shoqërinë. Nëse politika dhe drejtësia vihen në lëvizje nga paraja, nga krimi dhe korrupsioni, atëherë pushteti dhe drejtësia janë kriminalizuar, shteti është privatizuar, ai ekziston vetëm formalisht, si shtet ceremonial, si shtet butaforik, si shtet johuman, si bashkësi institucionesh të pandjeshme ndaj shtetasit. Një realitet i gjithë nxin prej dëshpërimit. Kjo sepse po fshihet fakti se krimi dhe politika në shoqërinë shqiptare janë në flirt fatal. Kur do të ndërhyhet? Kur segmentet e krimit të organizuar të kenë në duar gjithë fatet e vendit dhe të qytetarëve shqiptarë? Kush duhet dhe mund ta bëjë dekriminalizimin e jetës sonë, në një situatë me kuotë besimi kaq të ulët te ata që e kanë detyrë? Termi “dekriminalizim”, është një term i papërkufizuar qartësisht dhe nuk gjendet në literaturën juridike. Diskutimi rreth tij është moral, etik dhe politik. Rreth qartësimit të termit janë bërë debate të ndezura televizive, janë hedhur teza e hipoteza të gjithfarshme, janë paraqitur edhe analiza diplomatike që mund t’i referojmë. Madje, ekspertë “digjithçka” na sugjerojnë se procesi i dekriminalizimit bie në kundërshtim me disa parime të patjetërsueshme kushtetuese dhe të drejtësisë penale, të tilla si: e drejta e zgjedhjes, prezumimi i pafajësisë, fuqia prapavepruese, institucioni i rehabilitimit, parashkrimi i ndjekjes penale etj.

Ky proces në fakt nuk nënkupton, ai kërkon nxjerrjen/largimin/pengimin e kandidimit për poste politike, publike e civile të personave të dënuar ose me rekorde kriminale. Ndërkaq, kur vetë procesi rrezikohet të kthehet në gjueti shtrigash, të përdoret për shantazh në politikën e ditës dhe si lojë nervash ndaj opinionit publik, anashkalohet ekzistenca e ligjit “Antimafia”, sipas të cilit, çështja mund të fillojë edhe me “dyshim i arsyeshëm, bazuar në indicie”, dhe “Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi”. Pra, do të jetë individi ai që do të provojë ligjshmërinë e vënies së pasurisë, me prova dhe fakte konkrete, sesi e ka vënë pasurinë. Duhet vetëm që këtij ligji t’i zgjerohet juridiksioni dhe të vihet në veprim. Është interesi i lartë publik (mirëqenia e shtetasve dhe ndërtimi i shtetit ligjor); ai mund dhe duhet të kufizojë disa të drejta, si: e drejta e zgjedhjes, prezumimi i pafajësisë, fuqia prapavepruese e ligjit, institucioni i rehabilitimit, parashkrimi i ndjekjes penale etj., pengesa këto që trumbetohen si të pakalueshme nga të vetëquajturit “partizanë të të drejtave të njeriut”. Mirëpo risjellim në vëmendje pyetjet: Kush do e bëjë dekriminalizimin? Kush e cakton se kush është i kriminalizuar? Nëse do t’ia lëmë në dorë politikës që të caktojë se kush janë kriminelët që duhen flakur nga radhët e saj, kjo do të ishte si rikthim në praktikat e komunizmit (kujto për reminishencë edhe dekomunistizimin), kur ishte partia ajo që vendoste se kush ishin armiqtë e kriminelët dhe vetëm atëherë hetuesia apo gjykata, bënin formalizmin hetimor dhe juridik për ndëshkimin e tyre. Personalisht mendoj se ekzistojnë të gjitha instrumentet e nevojshme për të bërë dekriminalizimin. Kjo kërkon vënien në eficencë të të gjithë sistemit të institucioneve ligjzbatuese dhe jo delegjitimin e tyre. Kërkon reformën në drejtësi, pasi ajo zezon prej korrupsionit më shumë se politika, shërbëtore e së cilës është. Është kjo drejtësi e inkriminuar dhe e përdorur që ka kultivuar kulturën e pandëshkueshmërisë, duke e bërë ligjin qesharak dhe të zbatueshëm sipas trashësisë së zarfit. Por, siç kemi parashtruar deri këtu, nevojën e dekriminalizimit të jetës, shoqërisë, parlamentit, gjyqësorit, na mbetet të trajtojmë edhe dekriminalizimin e një tjetër hallke jetike: ekonominë. Duhet dekriminalizuar po ashtu edhe ekonomia. Në këta 25 vjet, legjislacioni në këtë fushë ka lënë të hapur mundësinë e grabitjeve, aferave korruptive e kriminale në dëm të pronës kombëtare. Adresimi i keq, keqpërdorimi i parimit të lirisë së individit, fitimit, sipërmarrjes së lirë, konkurrencës, informalitetit etj., ka çuar në këtë situatë kriminale. Prandaj, krahas ndëshkimit të cilësuar ndaj gjithë atyre që janë përfshirë në afera korruptive e kriminale, duhet të dekriminalizohet sistemi, pasi është ai që e prodhon dhe e mban në këmbë këtë antikulturë.

Kriminalizimi i jetës politike shqiptare është mungesë e demokracisë, mungesë e ligjit të zbatuar, e pranisë së parave me origjinë të pistë në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike shqiptare. Nëse në qarkullim janë qindra milionë euro të fituara përmes aktiviteteve të paligjshme, ndaj të cilave agjencitë ligjzbatuese mbyllin sytë për shkak se e shohin si normale praninë e tyre në ekonomi, natyrisht që ato do të përdoren për të blerë mbrojtje nga ndëshkimi, duke paguar me to një pjesë të politikanëve, të gjykatësve dhe të prokurorëve. Por kërkesat për dekriminalizimin e jetës, të shoqërisë dhe të sistemit nuk janë vetëm etike. Krimi bashkëjeton me ne, na blen dhe na paguan, investon mbi ne dhe, nëse nuk bindemi, na kanos. Nga duhet filluar? Nga lëvizje me bazë të gjerë, që ushtrojnë presion mbi politikën, apo nga politika që prodhon ligje për të përligjur krimin? Një përgjigje na vjen nga presidenti i Komisionit të Venecias, Xhani Bokikio, i cili shprehet se “…duhen përcaktuar shkaqet e pazgjidhshmërisë, çka do të thotë se personat e inkriminuar nuk zgjidhen në Parlament. Në rastet kur kalojnë këtë filtër, duhet verifikuar dhe t’u ndërpritet mandati.” Zgjidhja, pra, nuk duhet pritur nga “ndërgjegjësimi magjik” i politikanëve dhe gjyqtar/prokurorëve, apo i shoqërisë që duhet të reagojë, por që nuk reagon. Dekriminalizimi kërkon vënien në efiçencë të institucioneve që luftojnë si krimin, ashtu edhe inkriminimin, kërkon që në krye të punëve të jenë profesionistët dhe të panjollosurit. Në Shqipëri, ndonëse të paktë, nuk mungojnë njerëzit me integritet, me ideale dhe me moral të lartë publik. Nuk mungojnë njerëzit që janë të gatshëm të ofrohen me përkushtim për ta bërë Shqipërinë një shtet normal, një vend për shqiptarët që jetojnë përditë dhe jo thjesht një parajsë për turistët dhe një serrë për kultivimin e veprave kriminale të krimit vendas dhe ndërkombëtar… Ka mbetur ende një fushë për marrëveshje të gjerë sociale dhe politike mes nesh.

Rreshtohem përkrah atyre që mendojnë se, përveç kontratës morale, marrëveshjes politike midis mazhorancës dhe opozitës, duhen bërë ndryshime kushtetuese dhe ligjore, ku të vendosen barriera të pakalueshme (të listuara qartë dhe pa ekuivoke) për personat që kërkojnë të zgjidhen në institucionet shtetërore. Juridiksioni i ligjit Antimafia duhet të shtrihet edhe mbi këtë kategori personash; Kodit Zgjedhor i duhen bërë ndryshime, për t’i dhënë KQZ-së kompetencat për të mënjanuar kandidatët problematikë nga listat e partive. Një letër A4 me ngjyra, që quhet “Dëshmi Penaliteti”, e dhënë nga një zyrë sekretarie administrate, është e pavlerë, pasi kurrë dhe asnjëherë nuk ka ndodhur që krimi, sado i organizuar dhe i fortë, të demonstrohet formalisht. Shembujt e shoqërive të tjera që i kanë kaluar këto përvoja tregojnë se personat e inkriminuar mund ta blejnë vetëm përkohësisht “pastërtinë”, por jo edhe emrin e mirë, personalitetin, respektin, reputacionin dhe besimin e votuesve. Nëse nuk e paskemi ende fuqinë për t’i dërguar para drejtësisë politikanët dhe shtetarët e inkriminuar, ne kemi në dorë të mos i votojmë, të refuzojmë t’ua japim votën atyre që i njohim se cilët janë. “Të mos ankohemi nesër, nëse shesim votën sot”, – apelon Roberto Saviano, mbi një të vërtetë që e dimë të gjithë. Unë besoj se kjo është një pikënisje për ta përmendur sot dhe për ta zbatuar ditën e votimeve, kur duke shitur apo falur votën, vërtet qytetari nuk bëhet një me kriminelin, por bëhet bashkëpjesëmarrës, bashkëpunues dhe bashkëfajtor në krim.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: