TIRANË- Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar pas lajmit se edhe shteti shqiptar do t’i bashkohet BE-së, SHBA-ve dhe Londrës për dëbimin e diplomatëve rusë pas helmimit të ish-agjentit Skripal në Londër.

Ambasada ruse përdor deklaratën e Ministrisë së Jashtme ruse, si zërin e saj, ndërsa thotë se Rusisë i hidhet faji vetëm sepse incidenti nuk ka shpjegim tjetër të besueshëm. Sipas MPJ ruse, kjo është një akuzë e pathemeltë.

Po kështu MPJ ruse shpreh keqardhjen që “Bashkimi Evropian preferoi t’i bashkohej një tjetër fushate antiruse të nisur nga Londra dhe aleatët e saj përtej oqeanit me një qëllim të qartë për të krijuar edhe një pengesë më shumë në rrugën drejt normalizimit të situatës në kontinentin evropian”.

Reagim i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë
“Na krijon keqardhje deklarata për incidentin kimik në Salisbury e miratuar më 22 mars gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian. Formulimi i përdorur nga BE-ja, i cili ia hedh Rusisë përgjegjësinë e ngjarjes vetëm për arsye se ‘nuk ka asnjë shpjegim tjetër të besueshëm’, përbën në thelb një akuzë të pathemeltë kundër vendit tonë.

Gatishmëria e Këshillit Evropian për të rënë dakord me interpretimin britanik të incidentit në Salisbury mund të shpjegohet vetëm me dëshirën për të mbështetur Kryeministren e Britanisë së Madhe Theresa May, e cila u gjend në një situatë të vështirë.

Njëkohësisht vëmë re që në këtë interpretim të ngjarjeve çdo ditë shfaqen gjithnjë e më shumë mospërputhje: që nga shpejtësia e paparë e identifikimit nga britanikët të ‘origjinës ruse’ të toksinave që janë gjetur në vendin e atentatit ndaj Sergej Skripal-it dhe vajzës së tij, deri tek faktet e zbuluara nga mediat lidhur me presionin, i cili ushtrohet nga autoritetet britanike mbi stafin e laboratorit kimik në Porton Doën.

Ende nuk kemi marrë asnjë argument të palës britanike, i cili do të na detyronte, siç na sugjeron Këshilli Evropian, ‘të japim përgjigje’ për sa u përket ngjarjeve tragjike në Salisbury. Jemi plotësisht të gatshëm të punojmë bashkë me anglezët, megjithatë pala britanike po i shmanget bashkëpunimit. Shkëmbimin e mëtejshëm të mendimeve besojmë se mund të vazhdojmë në kuadër të organizatës kompetente ndërkombëtare që është Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike (ONAK).

Besojmë se liderët e BE-së, po të kishin sinqerisht dëshirë për të ndihmuar investigimin, duhet t’i nxisnin partnerët e tyre britanikë që të nisin konsultime konstruktive me palën ruse sipas procedurave të ONAK-ut të aplikueshme në raste të tilla. Aq më tepër që mbështetja e dialogut dhe bashkëpunimit në funksion të forcimit të instrumenteve ndërkombëtare në fushën e mospërhapjes, përfshirë këtu edhe Konventën për Ndalimin e Armëve Kimike, është e parashikuar drejtpërdrejt jo vetëm në Strategjinë Globale të BE-së të vitit 2016, por edhe në “hartën e rrugës” të vitit 2005 për hapësirën e përbashkët të sigurisë së jashtme Rusi-BE.

Është për të ardhur keq që në vend të kësaj Bashkimi Evropian preferoi t’i bashkohej një tjetër fushate antiruse të nisur nga Londra dhe aleatët e saj përtej oqeanit me një qëllim të qartë për të krijuar edhe një pengesë më shumë në rrugën drejt normalizimit të situatës në kontinentin evropian”.

Ambasada ruse per debimin fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb