Nga: DAVID A. ANDELMAN*
Në Shqipëri, roli dhe rëndësia e këshilltarëve të politikës së jashtme ka ardhur gjithnjë e në zhvillim. Sidomos në këto kohët e fundit kur edhe interesi ndaj Shqipërisë është edhe më i madh.
Pikërisht në sajë të kontributit të këtyre këshilltarëve, Europa dhe Amerika kanë kthyer kokën më tepër ndaj Shqipërisë. Ajo që bie në sy në panoramën politike të Shqipërisë është qëndrimi shumë pozitiv dhe gjithnjë balancues i politikës së jashtme të përqafuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), më së shumti një produkt i këshilltarëve të mirëzgjedhur të saj. Kjo gjë është vënë re sidomos në zbutjen dhe balancimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me fqinjët rajonalë, e cila së fundmi është në zhvillim.
Pikërisht për rolin dhe rëndësinë unike që kanë këshilltarët e politikës së jashtme në postet qeveritare, David A. Andelman, kryeredaktor dhe botues i një prej revistave më prestigjioze në Shtetet e Bashkuara, “World Policy Journal”, pranoi të ndajë mendimet e tij me “Gazeta Shqiptare”.
Sipas tij, në kohë zgjedhjesh, roli i këshilltarëve të politikës së jashtme “mund të jetë shpesh më së shumti transformues”. Ndërsa ngadalësimi i proceseve integruese e bëjnë z. Andelman të dyshojë. “Me të vërtetë shumë kanë filluar të pyesin veten nëse ka një axhendë tjetër të fshehur në Bruksel apo në Tiranë që po e ngadalëson procesin”, – përfundon ai.
Si e shikoni rolin dhe rëndësinë e këshilltarëve të politikës së jashtme në poste qeveritare në botën e sotme e cila është bërë vërtet sfiduese?
Këshilltarët e politikës së jashtme luajnë një rol unik dhe shpesh vendimtar në mjedisin e sotëm politik dhe diplomatik. Shpesh eksperienca e tyre shtrihet në një numër administratash presidenciale, kështu ata janë të aftë të sjellin një perspektivë unike te presidentët apo kryeministrat, të cilët kanë një eksperiencë më të kufizuar kur vjen puna te krizat. Shpesh janë këta këshilltarë që kanë një vizion të zhvilluar të cilin një udhëheqës vendi mund ta përqafojë dhe kështu mund të ndryshojë drejtimin e historisë së kombit të tij apo të saj – për mirë ose për më keq.
Sipas mendimit tuaj, si janë transformuar sfidat e këshilltarëve të politikës së jashtme?
Henry Kissinger ishte ndoshta këshilltari më i njohur dhe më transformues i politikës së jashtme. Ishte Kissinger dhe “weltanschauung” që vërtet transformuan botën. Duke punuar me Presidentin Richard M. Nixon, ishte Kissinger që ndihmoi në hapjen e Kinës ndaj Perëndimit dhe në mbushjen e boshllëkut gjigant që ishte hapur midis Lindjes dhe Perëndimit. Më vonë, Richard Pipes, profesor Harvardi, këshilltar i politikës së jashtme i Ronald Reagan, ndihmoi në dhënien fund të komunizmit në Bashkimin Sovjetik dhe në bllokun sovjetik. Së fundmi, megjithatë, këshilltarët e politikës së jashtme, kritikë prapa skenës, kanë marrë role më pak të dukshme dhe kjo ka kufizuar fuqinë e tyre por ndoshta jo ndikimin e tyre. Ata janë ende të vetmit që e zgjojnë Presidentin në mes të natës për ta informuar për një krizë; ata janë ata të cilët e informojnë Presidentin për çka ndodhi gjatë natës nëpër botë si dhe i thonë në fund të ditës se bota është, për momentin, në paqe dhe është e sigurt që ai të pushojë me familjen e tij.
Ndërsa Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve lokale këtë fundjavë, sa vendimtar është roli i këshilltarëve të politikës së jashtme në kohë zgjedhjesh? Si mundet ata ta marrin më mirë në duar situatën në raste të tilla?
Në kohë zgjedhjesh, roli i këshilltarëve të politikës së jashtme mund të jetë shpesh më së shumti transformues. Në rastin e një zyrtari, ai ose ajo mund të ndihmojë në dhënien formë të arritjeve të administratës dhe në nxjerrjen në pah të pikave kryesore që po çojnë përpara. Në të njëjtën mënyrë, për një kandidat, një këshilltar i politikës së jashtme mund t’u ofrojë votuesve një sens të mirë të prioriteteve të çdo administrate të re. Kështu, nëse shpesh zgjedhjet janë vendosur më tepër nga çështjet ekonomike të vendit – pra, taksat, inflacioni, papunësia, – këto ditë, përqasja ndaj krizave ndërkombëtare apo sfidave ekzistenciale ndaj vendit, apo angazhimi i forcave të armatosura ndaj konflikteve që mund të jenë larg vendit, mund të jenë vendimtare nga një votues i cili vendos cilin të zgjedhë kur ai ose ajo hedh votën.
Kush është trendi i këshilltarëve të politikës së jashtme në Amerikë sot për sot?
Çështjet me të cilat ballafaqohet Presidenti Obama dhe stafi i tij i sigurisë kombëtare nuk kanë një fund – që nga terrorizmi, te tregtia dhe ekonomia globale apo çështjet nukleare (sidomos në Iran dhe Lindjen e Mesme), apo rolin e kombeve të pabesueshme si Koreja apo Somalia. Problemi është se, pa një panoramë reale të botës, të parashtruar nga presidenti i tyre, këshilltarët duken se kalojnë nga një krizë në tjetrin pa arritur të kuptojnë si duhet fundin e procesit dhe trendin real, përtej përpjekjes për të siguruar trashëgiminë historike të Presidentit Obama.
A keni një perceptim për Shqipërinë? Në mos gaboj, e keni vizituar atë tri vite më parë.
Nga pikëpamja strategjike, Shqipëria është një komb vital, i ankoruar në rajonin Balltik dhe me një prezencë të rëndësishme detare në Mesdheun lindor. Dëshpërimisht, pak duket se ka ndryshuar në këto tri vitet e kaluara sa u takon disa prej prioriteteve kryesore të vendit. Duket se pak i është afruar Bashkimit Europian ose, akoma në mënyrë më kritike, Eurozonës, por ende duhet të konsiderohet një vend tjetër i rëndësishëm për t’iu bashkuar secilit prej këtyre grupeve (BE dhe Eurozonë.) Në zgjedhjet e fundit, si kryeministri (në kërkim të mandatit të dytë), edhe sfiduesi (në fund të fundit fitues), më thanë se prioriteti i tyre kryesor do të ishte integrimi i Shqipërisë në Europë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur dhe me të vërtetë shumë kanë filluar të pyesin veten nëse ka një axhendë tjetër të fshehur në Bruksel apo në Tiranë që po e ngadalëson procesin.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: