Nga Prof. Asoc. Dr. Stefan Qirici
Në vitin akademik 2016-2017 pothuajse të gjitha IAL-të publike dhe private kaluan në procesin e akreditimit institucional. Për herë të parë në këtë proces krahas Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ASCAL-it) u angazhua edhe Agjencia Britanike e Sigurimit të Cilësisë (QAA). Ekipi i ekspertëve të jashtëm që do të realizonte Akreditimin Institucional të KU “Luarasit” përbëhej tre ekspertë prej të cilëve, dy u zgjodhën nga Agjencisë Britanike QAA, Ms. Penny Renwick, që ishte njëkohësisht edhe drejtuesi ekipit; Prof. Jeremy Bradshaw, anëtar dhe një eksperte, Dr. Diturije Ismaili, u zgjodh nga ASCAL-i, anëtare.

Qëllimi final i këtij procesi ishte të vlerësonte se në çfarë mase KU “Luarasi” i përmbushte Standardet Shtetërore të Cilësisë të Arsimit të lartë në Shqipëri, të cilat hynë në fuqi në vitin 2011. Për të bërë këtë vlerësim, Standardet Shtetërore të Cilësisë u grupuan në pesë fusha: 1.Organizimi dhe menaxhimi; 2.Burimet; 3.Kurrikula; 4.Mësimdhënia, mësimnxënia, vlerësimi dhe kërkimi shkencor; 5.Studentët dhe mbështetja e tyre.

Njësia e Brendshme e Sigurimit të Cilësisë (NjBSC), e cila funksionon si strukturë përgjegjëse për sigurimin e brendshëm të cilësisë në KU “Luarasi”, me përgjegjësi dhe me profesionalizëm të lartë i menaxhoi dhe i realizoi me sukses të gjitha fazat nëpër të cilat kaloi procesi i akreditimit institucional. Ajo hartoi Raportin e Vetëvlerësimit të Brendshëm të Cilësisë, grumbulloi të gjithë bazën e të dhënave sasiore dhe cilësore, përgatiti të gjitha evidencat dëshmuese, të cilat i dorëzoi në ASCAL brenda afateve kohore të përcaktuara.

akreditimi Luarasi

Ekipi i Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë, bazuar në informacionin e dërguar nga KU “Luarasi” dhe në vizitën dyditore të realizuar në institucionin tonë hartoi Raportin e Vlerësimit të Jashtëm të Cilësisë. Bazuar në këtë raport, Bordi i Akreditimit i ASCAL-it konstatoi se:

“Rezultatet e vlerësimit të jashtëm në lidhje me shkallën e plotësimit të Standardeve Shtetërore të Cilësisë për Akreditimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë sipas fushave për KU “Luarasin” janë:

Fusha 1: “Përmbushen plotësisht”, kjo do të thotë se, KU “Luarasi” ka një strukturë organizative akademike të përshtatshme, që funksionon në mënyrë efektive dhe menaxhohet me cilësi të lartë. Ato udhëhiqen nga planet strategjike dhe vjetore, vendosin objektiva dhe synojnë realizimin e tyre në sasi dhe në cilësi.

Fusha 2: “Përmbushen plotësisht”, kjo do të thotë se, KU “Luarasi”, i mbështetur fuqimisht nga “Hysenbelliu Grup” zotëron burimet e veta njerëzore, materiale dhe financiare, të cilat garantojnë një proces normal të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor me parametra cilësorë.

Fusha 3: “Përmbushen plotësisht”, kjo do të thotë se, kurrikulat që ofron KU “Luarasi” në programet e studimit “Bachelor” dhe “Master” janë bashkëkohore, janë të hartuara duke u bazuar në eksperiencën dhe praktikat më të mira dhe i japin studentit njohuri, aftësi dhe kompetenca për të qenë të aftë dhe konkurruse në tregun e punës.

Fusha 4: “Përmbushen plotësisht”, kjo do të thotë se, mësimdhënia dhe mësimnxënia janë në nivel të lartë cilësor, që garantohet nga niveli cilësor i stafit akademik, i cili është i motivuar, i përkushtuar dhe i mirëvlerësuar. Gjithashtu, kërkimi shkencor, në të cilin përfshihet stafi akademik, është në funksion dhe i shërben mësimdhënies cilësore në auditore.

Fusha 5: “Përmbushen plotësisht”, kjo do të thotë se, studentët tanë i përmbushin plotësisht pritshmëritë e tyre. Janë të kënaqur me shërbimin që u ofrohet dhe rezulton se ata kanë bërë zgjedhjen më të mirë që studiojnë në KU “Luarasi” për profesionin e tyre të ardhshëm. Filozofia jonë është dhe mbetet: “Studenti në qendër të vëmendjes”!

Bazuar në këto konstatime dhe rekomandime të Ekipit të Ekspertëve të Jashtëm të Cilësisë, Bordi i Akreditimit me Vendimin Nr.115, datë 15.12.2017, vendosi:

Vlerësimin përfundimtar pozitiv për institucionin e Arsimit të Lartë, KU “Luarasi”.
Akreditimin Institucional të Institucionit të Arsimit të Lartë, KU “Luarasi” me kohëzgjatjen prej 6 (gjashtë) vite akademike. Afati përfundimtar i vlefshmërisë së Akreditimit të Institucionit është: 14.12.2023
KU “Luarasi” duke marrë këtë vlerësim maksimal nga ndërkombëtarët rezulton se, ai jo vetëm i përmbush të gjitha standardet e arsimit të lartë në Shqipëri, por në të njëjtën kohë garanton qëndrueshmëri në cilësi dhe përmirësim të vazhdueshëm të saj. Natyrisht, kjo është një arritje madhe që i dedikohet angazhimit total të pronarit të KU “Luarasit”, autoriteteve drejtuese akademike të tij, pedagogëve, studentëve, studentëve alumni dhe stafit ndihmës administrativ.

Ky vlerësim maksimal është njëkohësisht edhe një përmbushje dhe mbajtje e premtimit ndaj detyrimeve që kemi ndaj studentëve tanë dhe prindërve që na kanë besuar edukimin e fëmijëve të tyre. KU “Luarasi” synon të ketë programe mësimore në fushën e drejtësisë, të ekonomisë dhe të teknologjisë së informacionit sa më cilësore, nëpërmjet të cilëve studentët pajisen me njohuri, aftësi, kompetenca bashkëkohore, të cilat i bëjnë ata konkurrentë të suksesshëm në tregun e punës.

Vlerësimi maksimal që mori KU “Luarasi nga ndërkombëtarët është një argument i fuqishëm pse maturantët, studentët e rinj dhe prindërit e tyre duhet të zgjedhin dhe t’i besojnë të ardhmen e profesionit të tyre KU “Luarasit”.

Vlerësimi maksimal nga ndërkombëtarët në akreditimin Institucional për KU “Luarasin” na bën krenarë për arritjet e deritanishme, por njëkohësisht edhe na obligon me përgjegjësi akoma më të madha për të ardhmen. Në Samitin e Berlinit u theksua se: “Përgjegjësia parësore për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë qëndron te secili institucion dhe kjo përbën bazën e përgjegjshmërisë brenda kornizave të cilësisë kombëtare”.

KU “Luarasi” me Certifikatën e Akreditimit Institucional për periudhën gjashtëvjeçare (2017-2023) nuk e shikon këtë si një arritje të çastit, por si një garanci dhe bazë të fuqishme për rritjen dhe përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë. Ne i përmbahemi filozofisë se, “në qoftë se sot e konsiderojmë institucionin tonë të përsosur, atëherë ai nuk ka të ardhme”!

Është kjo arsyeja që, në KU “Luarasi”, duke u udhëhequr nga filozofia se, “Studenti është në qendër të vëmendjes”, sigurimi i vazhdueshëm i brendshëm i cilësisë është konsideruar dhe konsiderohet si një ndër faktorët më të rëndësishëm, themelor, i cili garanton se në vazhdimësi ka përmirësime në rritje dhe në zhvillim në të gjithë veprimtarinë e tij në fushën mësimore, edukative dhe shkencore.

Gjithashtu, nëpërmjet sigurimit të vazhdueshëm, të brendshëm të cilësisë, ne synojmë t’u bashkëngjitemi tendencave të zhvillimeve të sotme në hapësirën europiane të arsimit të lartë, që starton me Marrëveshjen e Bolonjës. Cilësia është një koncept kompleks dhe relativisht i vështirë për t’u matur, megjithatë, në konceptimin tonë, kur flasim për cilësinë, kemi parasysh dy aspekte kryesore:

Sigurimin dhe rritjen e vazhdueshme të cilësisë, që fokusohet kryesisht në problemet apo çështjet akademike, që lidhen ngushtësisht me përmbushjen e standardeve shtetërore në procesin e mësimdhënies, mësimnxënies dhe kërkimi shkencor me të gjitha shërbimet që mbështesin studentin në tërësinë e aktiviteteve mësimore dhe shkencore.
Menaxhimi i cilësisë që fokusohet kryesisht në hartimin, zbatimin, monitorimin e politikave dhe procedurave nga lidershipi i KU “Luarasit”, të cilat paraqesin përmbushjen e standardeve shtetërore lidhur me cilësinë e drejtimit akademik dhe administrativ në krijimin e të gjitha kushteve për arritjen e sigurimit të vazhdueshëm të cilësisë.
Jemi të vetëdijshëm se sigurimi i brendshëm i cilësisë përmirësohet nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm të vetëvlerësimit duke ballafaquar objektivat dhe standardet me arritjet aktuale, duke analizuar dhe vlerësuar progresin e realizuar në dinamikë dhe duke përcaktuar planin e veprimeve të ardhshme. Cilësia e menaxhimit arrihet dhe përmirësohet në mënyrë të vazhdueshme kur politikat, procedurat, procesi i aplikimit dhe monitorimit të tyre në praktikë bëhet i njohur për të gjitha palët e interesuara.

Synimi është që gjithsecili nga palët e interesuara në KU “Luarasi”, studentët, pedagogët, prindërit, studentët alumni, stafi ndihmës të krijojnë sinergji dhe të përfshihen në krijimin dhe zhvillimin e kulturës së cilësisë. Garantimi dhe rritja e vazhdueshme e cilësisë është dhe do të mbetet përgjegjësia kryesore e KU “Luarasit” në mësimdhënie, mësimnxënie dhe në kërkimin shkencor dhe aktivitete të tjera jashtë auditorit, duke e vendosur “Studentin në qendër të vëmendjes”.

* Zv.Rektor për Procesin Akademik

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb