SHKODER– Një ditë pas publikimit të video-skandalit me të vegjlit e Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër, të cilët dhunohen nga kujdestarët, është bërë lirimi i dy prej tyre. Ditën e djeshme policia shoqëroi tre kujdestarët që shfaqen në video, ndërsa ministri i Mirëqenies urdhëroi shkarkimin e tyre.
Gjatë deklaratës në polici, mësohet se njëra nga kujdestaret Edvana Sula, ka pranuar se ka dhunuar fëmijët jetimë, por shprehet se rasti i filmuar në video është e hera e vetme që e ka bërë një gjë të tillë.
Mëngjesin e sotëm është lënë e lirë kujdestarja Manjola Banishta pas marrjes në pyetje.
Ndërsa, një ditë më parë u lirua Albert Reka, i cili gjatë dëshmisë së tij në polici ka deklaruar se nuk ka qenë i pranishëm kur ndodhi ngjarja.
“Kërkoj rikthimin në punë, pasi jam i pafajshëm. Kam një vit punë në jetimore, dhe nuk kam parë dhunë të ushtruar ndaj fëmijëve. Nuk kam qenë i pranishëm kur ndodhi dhuna, pasi unë u largova pas rrëzimit të fëmijës”, është shprehur Reka.
(el.sp/BalkanWeb)