SARANDE- Përfaqësues të Partisë Demokratike kanë zhvilluar një takim me banorë të fshatit Xarë në Sarandë, ku është denoncuar abuzimi me tokat. Banorët kanë thënë se bëhet fjalë për abuzim me tenderin për tokat me qira, që sipas tyre u morën nga njerëz të deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima.

“Është abuzuar me tenderin për tokat me qira, të cilat u morën nga njerëz të Koço Kokëdhimës. Tokat u morën nga Dhimo Kote”, kanë thënë banorët e Xarës.

Ata kanë treguar se shoqata e tyre kishte ofruar 50 mijë lekë për hektarë, ndërsa tokat i fitoi Dhimo Kote me 25 mijë lekë për hektarë. Banorët e fshatit Xarë, janë ankuar për të gjitha këto tek përfaqësuesit e PD-së duke thënë se ndaj tyre po bëhet padrejtësi.

DEKLARATA E PLOTE E PARTISE DEMOKRATIKE

Partia Demokratike denoncon një skandal të dyfishtë në fshatin Xarë të rrethit të Sarandës. Banorët e këtij fshati, të njohur si kultivuesit më të mëdhenj të mandarinës në Shqipëri, janë përjashtuar padrejtësisht nga një ankand për marrjen e një tokë të fshatit me qera. Pavarësisht se shoqata e banorëve të fshatit ka ofruar dyfish më shumë qera për përdorimin e kësaj tokë, e drejta iu dha një shoqate tjetër që banorët e akuzojnë si pjesë e oligarkisë në pushtet Rama-Kokëdhima.

Drejtuesi i Departamentit Për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore në Partinë Demokratike, Ervin Salianji u takua me banorët e këtij fshati ku evidetoi edhe një skadal tjetër. Më 7 dhjetor fshatin e viziton Kryeministri Edi Rama për Festën e Mandarinës, ndërsa banorët që kanë kundërshtuar ankandin, janë kërcënuar nga shefi i komisariatit nëse ata i drejtohen Kryeministrit për këtë çështje.

Salianji e dënoi ashpër këtë skandal duke e cilësuar si një shkelje të rëndë të të drejtave të tyre. Pasi banorëve iu grabit toka në fshat nga njerëz të lidhur me oligarkinë në pushtet, atyre kërkohet tU mbyllet goja me kërcënime nga shefi i policisë, evidetoi Salianji.

“Skandalet korruptive të qeverisë nuk kanë fund dhe nuk njohin territor, – deklaroi ai. – Fermerët e kësaj zone kanë bërë një ofertë për të përfituar këtë tokë pas nesh që është rreth 64 hektarë, pronë e fshatit. Kanë bërë një ofertë prej 50 mijë lekësh të reja për hektar. Ndërkohë që shoqata që e ka fituar ka bërë ofertën 25 mijë lekë të reja për hektar. Fituese nuk shpallet shoqata e fermerëve që e ka ofertën dyfish më të lartë por fitues shpallet shoqata tjetër që e ka çmimin dyfish më të ulët, por ka një avantazh tjetër sepse është e lidhur me oligarkinë, është e lidhur me dyshen Rama-Kokëdhima dhe me kryetarin e komunës këtu që është oligarku i tyre lokal. Por skandali nuk përfundon këtu.

Nesër në datën 7, Kryeministri vjen tek Festa e Mandarinës në fshat dhe qytetarët kërkojnë një të drejtë të tyre themelore për t’i kërkuar llogari zyrtarit që e paguajnë me taksat e tyre. Kërkojnë që nesër të shkojnë në takim dhe ti kërkojnë llogari se pse nuk e fitojnë ankandin këta qytetarë që kanë 500 mijë lekë të vjetra për hektarë por e fiton oligarku lokal me 250 mijë lekë për hektar. Ç’ndodh në këtë rast?! Kryeministri lëshon bandën e tij lokale, shefin e komisariatit dhe i kërcënon qytetarët duke i thirrur në komisariat një më një, duke shkelur të drejtat dhe liritë e tyre themelore, që u garantohen me Kushtetutë e që i kanë fituar 24 vite më parë. i thërret dhe i kërcënon duke u thënë se nëse shkoni tek kryeministri dhe flisni unë do t’u hedh në lumë. Nuk ju bën dot asgjë.

I bëjmë thirrje kryeministrit të shkojë dhe të marrë masa të menjëhershme për shefin e komisariatit i cili kërcënon qytetarët dhe i thërret në komisariat pa asnjë arsye. i kërkojmë kryeministrit dhe bandave të tij lokale t’i krijojë mundësi për t’i takuar dhe dëgjuar qytetarët për të shprehur shqetësimin e tyre dhe në rast se kryeministri dhe bandat e tij lokale nuk do lejojnë që këta qytetarë dhe fermerë të dëgjohen nesër për problemin e tyre, ne do të jemi këtu dhe me çdo mjet do t’i fusim për t’i dëgjuar dhe për të qënë krah për krah e për të fituar këtë të drejtë që askush nuk ua mohon dot më”, tha Salianji.

(ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: