Nga: Romeo GURAKUQI

Avionët ushtarakë të Armatës së Serbisë vazhdojnë të fluturojnë shumë ulët përmbi çatitë e shtëpive shqiptare në Luginën e Preshevës, duke terrorizuar qytetarët, që qeveria e po atij vendi ka detyrimin që t’i mbrojë.

Mesazhe të shumta të ardhura nga banorët shqiptarë të kësaj ane, kanë kërkuar mbrojtjen e shtetit shqiptar, deputeteve dhe intelektualeve.

Ata kërkojnë t’i ofrohet e gjithë përkrahja politike dhe diplomatike, popullsisë civile dhe Kryetarit të Komunës së Preshevës, zotit Shqiprim Arifi, në mënyrë që mos të ndodhin provokime të tilla nga qeveria e Serbisë.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë, e fshehur në panik në Kullën e Surrelit, e shmangur nga revolta e njerëzve të thjeshtë në strofkullat e sarajeve të grabitura në Bregdet, është përqendruar në punën hetimore të drejtuar nga kryehetuesi i diktaturës, për të burgosur Opozitën shqiptare dhe nuk e ka në axhendë mbrojtjen e vëllezërve të një gjaku, që jetojnë nën terror në cepin më jugor të Republikës së Serbisë.

Mirëpo, askush nuk pret që një qeveri despotike, e korruptuar, në të gjitha poret e veta, e mbajtur me patericat policore të hetuesve dhe oficerëve të diktaturës, një qeveri e cila as në ditët e veta të para, nuk ka qenë asnjëherë serioze në ndërtimin e rrugëve të komunikimit modern në Ballkan, të kryejë detyrat ndaj bashkëkombasve të vet të kërcënuar nga soldateska e Serbisë.

Është në detyrën e opinionit publik dhe intelektual të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, Diasporës në SHBA dhe në Europë, të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion, për të sensibilizuar qeveritë demokratike perëndimore mbi gjendjen e rëndë që po kalon pakica shqiptare në Serbi.

Unë besoj se as shoqëria civile e Republikës së Serbisë dhe as parlamentarët mirëfilli europianiste të atij vendi, nuk mund ta pranojnë terrorizimin e programuar ndaj bashkëqytetarëve të të njëjtit shtet. Por në mes dënimit të heshtur dhe veprimit të njimendtë dhe serioz, ka një të ndarë të madhe që duhet kapërcyer, për hir të vlerave demokratike të Ballkanit të shekullit XXI./Politiko

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: