Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apeli, Ardian Hajdari është shpallur fajtor për fshehje të pasurisë dhe është dënuar me 1 vit burg.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se gjykata i pezulloi dënimin me burg dhe Hajdari u dënua me 2 vite shërbim prove.

Sipas hetimit, ai nuk ka bërë deklarime të sakta në lidhje me disa vite punë si avokat. Ish-anëtari i KPA-së u pezullua nga detyra në muajin shkurt të vitit 2022. Ai u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për akuzat në fjalë.

Njoftimi i plotë:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar më datë 14.07.2022 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Ardian Hajdari për kryerjen e veprave penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i K.Penal, katër herë (deklarata e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2012; deklarata e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2016; deklarata e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2017 dhe deklaratat e TVSH-së për vitin 2017; deklaratat e tatimit të thjeshtuar për periudhën 2013 – 2015 dhe TVSH-së për periudhën 2014 – 2016) si dhe “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, në lidhje me deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI, më datë 12.07.2017.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, bazuar në nenet 112, 379, 384 i Kodit të Procedurës Penale dhe nenin 47, 48, 49, 59, 180 paragrafi i parë dhe 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, me vendimin nr. 4, datë 24.01.2024, vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Hajdari lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2012, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Hajdari lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2016, dhe dënimin e tij me 4 (katër) muaj burgim.
3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Hajdari lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratën e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2017, dhe deklaratat e TVSH-së për vitin 2017, si dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Hajdari lidhur me veprën penale “Fshehja e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 paragrafi i parë i Kodit Penal, për deklaratat e tatimit të thjeshtuar për periudhën tatimore 2013-215 dhe TVSH-së për periudhën 2014-216, si dhe dënimin e tij me 1 (një) vit burgim.
5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Ardian Hajdari lidhur me veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a paragrafi i dytë i Kodit Penal, lidhur me deklaratën e dorëzuar në ILDKPKI, më datë 12.07.20217, dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
6. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, bashkimin e dënimeve në një të vetëm duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Ardian Hajdari me 1 (një) vit burgim.
7. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Ardian Hajdari, duke e vënë në provë për një periudhë kohe prej 2 (dy) vjetësh.
8. Urdhërohet i pandehurit Ardian Hajdari t’i përgjigjet thirrjeve dhe kërkesave të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës gjatë kohës së provës dhe të mos kryejë vepër tjetër penale tjetër.
9. Një kopje e vendimit i dërgohet Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë dhe Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës të vendbanimit të të pandehurit.
10. Shpenzimet gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit i ngarkohen të pandehurit.
11. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 24.01.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb