Totalitarizmi në letërsi ishte tema që bëri bashkë në një bisedë, kritikun Agim Baçi me Jonila Godolen, që këtë herë foli për romanin e saj, “Puthja e Udhëheqësit”, si një narrativë, ku jo vetëm rrëfehet jeta në komunizëm, por edhe simbolikat e indoktrinimit që vjen përmes personazhit të një vajze të verbër.

Sipas Godoles, “Romani u shkrua kur unë isha në Gjermani dhe përmes tij bëra paqe me Shqipërinë. Është në qendër të tij një vajzë e verbër që kur rifiton shikimin, fytyra e parë që sheh është ajo e udhëheqësit. Shumëkush mund të mendojë se ajo e adhuronte Enver Hoxhën, dhe ‘po’, kur rritesh në një shoqëri të indroktinuar dhe pa informacion, kjo ndodh. ndaj është me rëndësi informimi për brezin e ri”.

I pyetur nga Agim Baçi për raportin e shkrimtarëve me sistemin, nisur nga dokumentet e fundit që përfshijnë Nasho Jorgaqin me Sigurimin e Shtetit, Godole, si drejtuese e një instituti që merret me studime mbi regjimin, e gjen të frikshme mungesën e vënies së drejtësisë.

“Ne nuk vumë drejtësi për krimet e komunizmit, por gjithsesi nuk është vonë për gjyq moral. Është Qemal Lame që boton libra, në fakt ka shumë që duhej të ishin përballur me drejtësinë. Raporti me të shkuarën? Ajo që po ndodh në Shqipëri është një çudi, nuk ndodh në asnjë vend të Lindjes si në Shqipëri”.

Gjatë bisedës së mbajtur në kuadër të festivalit të organizuar nga Qendra e Librit, u theksua fakti që Shqipëria nuk i dënoi kurrë krimet e komunizmit, duke nisur kulturën e pandëshkueshmërisë në vend.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb