Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka deklaruar se Prishtina është e gatshme e interesuar për një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, të qëndrueshme dhe njohje reciproke me Serbinë në qendër të marrëveshjes.

Por ai shtoi se problemi mund të jetë në paralajmërimet e Beogradit se mund të tërhiqet nga dialogu.

“Mendoj se po bëjnë një gabim dhe kjo mund ta ketë frikësuar dikë pak në Bruksel”, tha ai në një koment mbi deklaratën e të dërguarit të BE-së mbi dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se situata ka ndryshuar pas vendimit të qeverisë së Kosovës për reciprocitet lidhur me kartat e identitetit dhe afati për regjistrimin e veturave me targa serbe.

Ai ka shtuar se edhe Lajçaku ishte vazhdimisht i informuar për veprimet e palës kosovare.

“E di që ka një plan për takime të negociatorëve kryesorë, ndoshta më shumë se kaq për të parë se si dhe sa mund të përgatiten në Bruksel”, tha Kurti.

Lajçak, tha të enjten se në marrëdhëniet Kosovë-Serbi është krijuar një situatë e re, e cila ndryshoi planet dhe temat e vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi.

“Me shumë bujari kemi vendosur një afat prej dy muajsh për të kryer një konvertim të tillë që ndihmon ligjshmërinë dhe rregullsinë në vendin tonë”, tha Kurti dhe shtoi se Prishtina është e interesuar që të nënshkruajë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për personat e pagjetur.

“Çështja e të pagjeturve është prioritet i Qeverisë së Kosovës. Ata janë zhdukur me dhunë dhe ne do të bëjmë çmos që kjo çështje të zbardhet sa më parë, sepse ankthi i familjarëve mund të jetë më i madh se sa pikëllimi i tyre, i cili nuk është vetëm i tyre”, tha Kurti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb