E ftuara e dytë në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës për Marrëdhëniet me Jashtë Anuela Ristani. Sikurse të ftuarit e tjerë të programit ajo rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive, duke bërë një rrëfim për jetën e saj profesionale dhe private.

Ristani foli për marrëdhënien e ngushtë që ka patur me prindërit dhe kujtoi se si një fëmijë i një nënë mësuese, gjithmonë ka patur një lloj presioni që duhet të ishte shumë e mirë në mësime.

Anuela mjaftonte të dilte me rezultate të larta në shkollë, pastaj ishte e lirë për çdo aktivitet tjetër që ajo dëshironte të realizonte vetëm apo me shoqërinë.

Ajo tregoi se ka qenë e vogla shtëpisë pasi ka ardhur në jetë kur dy motrat e mëdha ishin 10 dhe 12 vjeçe, por theksoi se ikja e saj me studime jashtë kur ishte vetëm 16 vjeçe bëri që të përballej me jetën e vetme dhe nuk e ka patur më prezente atë përkëdhelje që kishte deri në atë moshë.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës gjatë bisedës tregoi se angazhimet e shumta në punë bëjnë që mos të ketë shumë kohë në dispozicion për të folur me familjarët e saj gjatë ditës, por mundohet që kur është në shtëpi t’u përkushtohet totalisht atyre.

Anuela Ristani është njohur me bashkëshortin e saj 22 vite më parë në Tiranë. Në fillim kanë qenë shokë dhe pas rreth një viti filluan të kuptonin se pëlqenin njëri-tjetrin, duke krijuar një histori të bukur dashurie. Ata sot janë bekuar me një vajzë dhe një djalë. Momente shumë të bukura në studio ishin kur u shfaqën dy videomesazhe surprizë për Anuelën, nga motra dhe nga djali i saj.

Gjatë programit Anuela foli edhe për angazhimin e saj në Bashkinë e Tiranës. Këtë vit Tirana është “Kryeqyteti Evropian për Sportin”, dhe nënkryetarja tregoi angazhimet që bashkia ka ndërmarrë për të bërë më të mirën për qytetin dhe për qytetarët për përmirësimin e kësaj fushe, dhe jo vetëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb