Kreu i PD Sali Berisha ka akuzuar Alesia Balliun dhe Ervin Salianjin se kanë bashkëpunuar me qeverinë e kjo sipas tij është edhe arsyeja e mos pranimit të kandidaturës së tyre në garë për kreun e PD.
Pak më parë Salianji iu përgjigj akuzave duke e quajtur Berishën “fosile” që bën para nga pazaret me Ramën.
Ndërkohë i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi I Balliut, e cila në një postim në rrjetet sociale, ka akuzuar djalin e Berishës, Shkëlzen
Berisha se është ai që “merret vesh” me kreun e qeverisë Edi Rama. Ajo është shprehur se nuk është më Berisha ai që kontrollon Partinë Demokratike, e cila sipas është kthyer tashmë në një klikë.
Postimi i plotë:
Sali, atë që bën Shkëlzeni me Ramën mos na e faturo ne.
Si ka mundësi që nuk the një fjalë për banorët e Rrjollit, për tokat që po u merren?
Si ka mundësi që nuk të pipëtin zëri kur këshillat bashkiakë bashkohen me PS-në në kurriz të qytetarëve?
Si ka mundësi që regjimi lejon “SYRIN” tënd të veprojë i lirë në çdo moment për të goditur këdo që nuk mendon si ty?
Si ka mundësi që biznesmenët që punonin me ty, punojnë edhe me Ramën?
Sali, kthe përgjigje para demokratëve: si ka mundësi që PD-ja, që nga 2021, është minus 300 mijë vota?
Kthe përgjigje pse nuk arritët ta bashkoni PD-në.
Kthe përgjigje pse SHBA-ja nuk po ta heq damkën e “non grata”-s.
Sali frikacaku, nuk pres më përgjigje nga ty, sepse ti nuk e kontrollon më atë parti; ajo është kthyer në një klikë.
Por pres përgjigje nga Shkëlzen Berisha, sepse ai është njeriu që merret vesh me Ramën dhe ai i ka përgjigjet.
