Banorët e fshatit Zharrëz në Bashkinë e Patosit do të kenë së shpejti një infrastrukturë moderne. Një rrugë e re që lidh fshatrat Sheqishtë dhe Fshati i Ri do të ndërtohet për të lehtësuar jetën e përditshme të më shumë se 1000 familjeve që jetojnë në këtë zonë.

Projekti do të financohet nga kompania prodhuese e naftës, Bankers Petroleum Albania si pjesë e programit të saj të dedikuar për investimet komunitare.

“Rikonstruksioni i kësaj rruge ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e banorëve por edhe e Bashkisë Patos dhe për këtë arsye vendosëm të financojmë 100 mijë dollarë. Në vite Bankers ka treguar se ne jemi këtu jo vetëm për operacionet hidrokarbure, por së pari për njerëzit e kësaj zone dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Shumë nga rrugët, shkollat, klinikat shëndetësore këtu në Patos janë financuar nga ne dhe jemi shumë krenarë që kemi përmirësuar jetën e këtyre njerëzve. Mund të konfirmoj se do të vazhdojmë ta bëjmë këtë edhe në të ardhmen, sepse Bankers e konsideron veten pjesë të këtij komuniteti dhe të këtij vendi dhe gjithashtu partner të Shqipërisë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Bankers, z.Huanqin Xiao.

Nënkryetarja e Bashkisë Patos Anisa Petani tha se rruga e re do të ofrojë një infrastrukturë moderne dhe do të jetë gati për 4 muaj.
“Rruga e re do të reduktojë ndotjen në zonë dhe do të përmirësojë ndjeshëm mjedisin. Ky projekt është një investim i përbashkët ndërmjet Bankers dhe Bashkisë Patos, kosto totale e të cilit llogaritet rreth 300 mijë dollarë. Bankers Petroleum Albania ka investuar më shumë se 7.5 milion dollarë në projekte në komunitet ndër vite duke u fokusuar në infrastrukturë, shkolla dhe kopshte, klinika shëndetësore dhe gjithashtu në mbjellje pemësh”, deklaroi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb