Fusha e sportit dhe zyrat e njësisë administrative Zharrëz, të cilat janë në pronësi të Bashkisë Patos do t’i nënshtrohen rikonstruksionit falë investimit të përbashkët me kompaninë Bankers Petroleum Albania. Kompania Bankers është në fakt investitori kryesor i këtij projekti të rëndësishëm për banorët e kësaj zone, me një financim prej 100 mijë dollarësh.

Sipërfaqja totale ku do të ndërhyhet është mbi 8700 m2. Gjendja ekzistuese e mjediseve sportive dhe atyre të jashtme përreth zyrave është lënë pas dore për shkak të mungesës së investimeve ndër vite. Në fushën e sportit do të realizohen ndërhyrje thelbësore si nivelimi, mbjellja e një tapeti të ri, rrethimi dhe ndërtimi i shkallëve të spektatorëve për të ndjekur aktivitetet sportive. Projekti parashikon gjithashtu rikonstruksioni e jashtëm të godinës së njësisë administrative që u shërben të gjithë banorëve të Zharrzës.

Përveç termoizolimit ndërhyrja do të kryhet edhe në zëvendësimin e të gjitha dyerve dhe dritareve të godinës. Falë investimit të Bankers, do të mundësohen mjedise sportive cilësore dhe të përballueshme për brezin e ri, hapësira të reja rekreative për banorët e zonës si dhe kushte shumë të mira pune për punonjësit e Njësisë Administrative Zharrëz. Drejtuesit e kompanisë, konfirmojnë se do të vijojnë të investojnë në komunitetet ku ata operojnë me qëllim për të përmirësuar nivelin e jetesës së banorëve të këtyre zonave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb