Tenderat për dezinsektimin në bregdet kanë dështuar në të shkuarën dhe po vonohen edhe këtë vit, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e institucioneve shqiptare për të luftuar mushkonjat sidomos në sezonin e verës.

Durrësi është pushtuar jo vetëm nga qindra mijëra pushues, por edhe nga retë me mushkonja që janë kthyer problem real për gjithkënd.

Sipas autoriteteve, vija bregdetare u dezinfektua në pjesën e rërës para se të çelej sezoni, por kjo masë duket se është krejt e pamjaftueshme për të frenuar mushkonjat në bregdet. Qytetarët thonë se e kanë të humbur luftën me mushkonjat këtë verë, detyrohen të rrallojnë xhirot në mbrëmje ndërsa bezdia që vjen prej tyre është e padurueshme.

Disa detyrohen vetë të dezinfektojnë shtëpitë ndërsa fëmijët pickohen dhe shfaqin probleme shëndetësore. Asnjë krem kundër mushkonjave agresive nuk mbron. Bizneset në Durrës janë përpjekur të kryejë dezinsektim vetë me shpenzimet e tyre brenda ambienteve të hoteleve, lokaleve, bareve dhe restoranteve.

Disa mushkonja janë në gjendje të injektojnë mikroorganizma infektuese dhe të transmetojnë kështu sëmundje të ndryshme si malarien, ethet e Nilit Perëndimor, ethet e verdha, etj. Por pavarësisht rrezikut, ISHP dhe Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqendruara, ASHPP, kanë dështuar prej dy vitesh që të përmbyllin një tender për kryerjen e procedurave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb