“Kanë qenë totalisht dhe vetëm dështimi i një njeriu dhe i një faktori, i qeverisë”. Kështu ka deklaruar kreu i PD-së Lulzim Basha nga Durrësi ku u takua sot me operatorë të agjencive turistike, duke akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për krizën në sektorin e turizmit.

Basha solli një tablo se si do të jetë për turizmin pas 25 prillit nëse do të jetë opozita në krye të vendit, duke folur për angazhime konkrete si një taksë e sheshtë 9% në vend të 15%, nafta apo benzinë 240 lekë më e lirë për litër; 6% TVSH për të gjithë faktorin turistik, shtet që ndihmon skemën e trajtimit profesional masiv në fushën e turizmit dhe jo vetëm. “Pra me një fjalë kur qeveria e pas 25 prillit t’iu thotë punë e mbarë në vend që t’iu thotë plaçi dhe më trego pak xhepat se çfarë të ka ngelur që ta marrë unë ty”, theksoi kreu i PD.

Sipërmarrësit nga ana tjetër ndanë shqetësimet e tyre me kreun e PD, një prej tyre informaliteti. Basha tha se taksa e sheshtë ndihmon në formalizimin e ekonomisë duke sjellë si provë, 2006-2007-2008 ku taksa e sheshtë 10% rriti të ardhura publike me afro 1.6 miliardë euro të cilat u destinuan për investime publike që shndërruan tërësisht rrjetin e rrugëve në Shqipëri.

PJESË NGA BASHKËBISEDIMI
Lulzim Basha: Si ka mundësi që të gjitha vendet kufitare me ne kanë ecur më mirë se ne? Sepse qeveritë e këtyre vendeve nuk janë mjaftuar me fjalë. Ato kanë ndërmarrë veprime konkrete deri në subvencionimin për çdo turist të huaj që vjen në vendin e tyre dhe e kam fjalën për vende kufitare, disa prej të cilave nuk kanë as det siç është Maqedonia e Veriut. Pra kanë qenë totalisht dhe vetëm dështimi i një njeriu dhe i një faktori, i qeverisë. Këtë dua të them me dy fjalë, nuk ka qenë dështimi juaj. S’është dështimi i Eltonit ai apo i dhjetërave të tjerë si ai që janë detyruar të mbyllin dyert e biznesit. Pas 25 Prillit me një qeveri që do të jetë në krahun tuaj me një qeveri që ju do, e do sipërmarrësin shqiptar, siç e do dhe punëmarrësin shqiptar, siç e do dhe Shqipërinë dhe u shërben njerëzve.

Vendi i ka të gjitha kushtet të kthejë kursin, të dalë nga kriza, të stabilizohet, të rimëkëmbet dhe të ketë si fillim nivelin e vendeve të rajonit, sepse nuk na mungon asgjë, kemi shumë më shumë potencial se sa kanë vendet e rajonit. Dhe vetëm imagjinoni momentin që nuk keni një shtet që ju shfaqet me fytyrën e një taksidari apo një inspektori të vrazhdë që ju shikon nga xhepat apo ju shikon nga duart. Momentin që keni një taksë të sheshtë 9% në vend të 15%. Momenti që kur e paguani naftën apo benzinën 240 lekë më pak për litër. Momenti kur 6% aplikohet për të gjithë faktorin turistik. Momenti kur shteti me taksat tuaj ndihmon atë skemë që ju përmenda të trajtimit profesional masiv në fushën e turizmit dhe jo vetëm. Pra me një fjalë kur qeveria e pas 25 prillit t’iu thotë punë e mbarë në vend që t’iu thotë plaçi dhe më trego pak xhepat se çfarë të ka ngelur që ta marrë unë ty. Imagjinoni se çfarë mund të arrijmë së bashku për këtë vend dhe për këta njerëz, dhe unë ju garantoj që gjithë angazhimet që keni marrë në këtë plan janë të zbatueshme dhe do të zbatohen duke nisur nga dita e parë, nga muaji i parë, nga viti i parë dhe jo në vetëm institucionet e vendit që do të marrin peshën dhe përgjegjësinë që u takon por dhe para jush siç jam sot këtu do të jem prapë për të matur se ku jemi me angazhimet që kemi ndërmarrë. Angazhimet që do marrë dhe që do zbatojë qeveria nesër, natyrisht edhe atë që presim prej jush që është të rrisni sipërmarrjen, të rrisni punësimin, të rrisni mirëqenien e njerëzve. Kjo është aleanca që lidhim ne me sipërmarrjen prandaj ju quajmë një grup interesi të rëndësishëm sepse ju jeni punëdhënës mbi të gjitha jeni punëdhënës, jeni njerëz që krijoni punësim, krijoni mirëqenie për familjet Durrsake, për familjet shqiptare.

Sipërmarrës: E para në lidhje me problemin fiskal normalisht të gjithë e aprovojnë gjithë pikat e programit sepse kush është ai që do të paguajë më shumë dhe kuptohet që ajo është një ndihmë për biznesin por në këtë pikë kam një dyshim timin se si do arrihet që të luftohet informaliteti sepse vërtetë informaliteti tani vjen edhe si rrjedhojë e taksave të larta e pamundësisë për të paguar në momentin që… por përvoja ka treguar që ajo është një tip infeksioni brenda bizneseve që sado që ti ulësh taksat prapë atij nuk i pëlqen të paguaj edhe ato pak që duhet të paguaj. Që 12 muaj t’i lësh jashtë kontrollit bizneset në Shqipëri për mua është pak tolerancë shumë e madhe domethënë është një element që duhet menduar pak ndryshe them unë për të mirën, të paktën unë flas me sa njoh këtu e di që janë biznese korrekte në lidhje me pagimin e taksave edhe me këto taksa që janë sot. Kështu që si është menduar ky element për tu kontrolluar?

Lulzim Basha: Padiskutim që taksa e sheshtë ndihmon në formalizimin e ekonomisë, a do ta formalizojë 100%, ndoshta jo por ne kemi një provë. Bashkërisht e kemi provën e 2006-2007-2008 ku taksa e sheshtë 10% rriti të ardhura publike me afro 1.6 miliardë euro të cilat u destinuan për investime publike që shndërruan tërësisht rrjetin e rrugëve në Shqipëri, po përmend njërin prej investimeve. Pra në tërësi taksa e sheshtë funksionon në të dyja drejtimet edhe ndihmon ekonominë, fuqizimin e bizneseve prandaj paguan më shumë taksa sepse u rrit ekonomia por edhe e formalizon atë duke rritur të ardhurat e shtetit. Natyrisht po flas për moratoriumin që nuk do të thotë që këtu nuk do të funksionojë ligji, janë dy gjëra të ndryshme. Një qeverisje e vogël por efektive e përkushtuar ndaj ligjit ka mënyra për ta bërë këtë edhe e bën Maqedonia e Veriut, s’po shkojmë në Kroaci e në Slloveni me që janë anëtarë të Bashkimit Europian, po e bën Maqedonia e Veriut, e bën Kosova. E bën Kosova, si e bën. E bën me analizë risku, natyrisht një recidivist apo dikush që në mënyrë flagrante shkel ligjin nuk do ti rrahë njeri shpatullat, jo do të vihet përpara përgjegjësisë ligjore, kjo është një gjë. Dhe gjëja tjetër është siç thash në fillim që inspektorët të mbijnë nga mëngjesi deri në darkë në derën e çdo biznesi, pra mos të keqkuptohemi, moratoriumi i inspektoriateve ka për qëllim të forcojë barazinë para ligjit por jo me metodat e këtyre tetë viteve kur inspektoriatet janë përdorur për terror dhe për të shkatërruar konkurrencën se inspektori nuk i shkon të gjithëve, ju e dini fare mirë, disave nuk ju shkon.

Sipërmarrës: Faleminderit! Shumë shkurt. Programi sjell, programi plani për turizmin sjell një koncept të ri dhe një nga themelet e këtij koncepti të ri është pikërisht të ndryshojë kulturën e marrëdhënies shtet-sipërmarrës. Dhe në thelb të kësaj ndryshimi strukture është të mos, pra për t’ju qasur pyetjes tuaj si mund ta ulim informalitetin, apo si ta luftojmë informalitetin, në thelb të kësaj kulture është që ne informalitetin ne të mos ta realizojmë nëpërmjet…

Lulzim Basha: Represionit.

Sipërmarrës: …disiplinës fiskale, por nëpërmjet vendosjes së taksave të drejta dhe të ulëta. Pra kultura e re është që sipërmarrësi të ndihet i motivuar për të respektuar detyrimet fiskale, mos të ndihet i abuzuar apo i vjedhur.

Lulzim Basha: Në qoftë se pushtetin e shikon si përgjegjësi dhe jo si privilegj dhe as si start për të pasuruar një grusht njerëzish deri sa të vijë dita të të heqin, atëherë absolutisht i kemi të gjitha mundësitë dhe ju për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, business to business. Ju me hotelerinë, me agjencitë e huaja. Kush e krijoji këtë klimë këtu? Cili ishte roli i shtetit në këtë klimë? Flas për anën pozitive e cila e futi Shqipërinë sido që të jetë në hartën e turizmit. Kush e bëri? Shteti e bëri? Sigurisht jo, e bëtë ju. Pse të mos shikohemi në të njëjtën mënyrë edhe sektori publik me sektorin privat? Pse mos ta shohin hallin tënd, problemin tënd të mungesës së krahut të kualifikuar të punës si problemin tim kryesor dhe bashkë ta shikojmë si zgjidhjen që ata të rinj mos të largohen nga Durrësi e nga Shqipëria? Je gati të paktën të më thuash cilët janë nevojat e sektorit? Unë jam gati që një pjesë të taksave që ti më paguan mua si shtet t’i investoj që t’i trajnojnë ata të rinj. Me standarde Europiane jam gati të të nxjerr në panair, në marketing kombëtar, të të them shikoni bukuritë e vendit tim, shikoni operatorët e vendit tim. I kanë mbijetuar një shtrëngate 8 vjeçare dhe që tani me ndihmën time si shtet janë gati që të konkurrojnë denjësisht në cilën do fushë që dëshironi ju. Prandaj ju them potenciali i asaj që mund të arrijmë po të jemi bashkë dhe jo kundër njëri tjetrit është i jashtëzakonshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb