TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj, një nga kritikët e ish-kryeministrit Sali Berisha i është bashkuar sot protestës së opozitës dhe kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Mustafaj i ka bërë thirrje sot studentëve nga sheshi para Kryeministrisë, që t’i bashkohen protestës ashtu siç bënë në 20 shkurt 1991 studentëve që rrëzuan shtatoren e diktatorit, Enver Hoxha.

Mustafaj kërkoi gjithashtu vijimin e protestës deri në plotësimin e kushteve nga qeveria, në të kundërt tha ai ky do të ishte dështim i madh për PD-në.

“Mos besimi i opozitës ndaj maxhorancës e qeverisë, institucioneve të shtetit është total. Ky besim fitohet me gjeste nga ana e qeverisë. Nëse këto gjeste mungojnë siç po shihet atëherë nuk ka rrugë tjetër veç protestës. Nëse protesta nuk ka vazhdimësi atëherë do të dështojë. Nuk arrihet qëllimi. Shpresoj se ka një vendosmëri të mjaftueshme. Ka një shprehje pakënaqësie të përgjithshme. Përfitoj nga ky rast meqë jemi më 20 shkurt t’u bëj thirrje studentëve t’i bashkohen protestës. Studentët duhet të jenë këtu të parët”, theksoi ai për ‘Ora News’.

As protesta e PD-së nuk ia ka arritur të ngjisë miqësinë e thyer gati 9 vite më parë mes ish-ministrit të Jashtëm të PD-së, Besnik Mustafaj dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Pasi Mustafaj ka qenë sot në çadrën e protestës pikërisht në momentin kur në të nuk ishte Berisha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: