Nga: FATMIRA NIKOLLI
TIRANE – Imazhet gri të projektit të muzealizmit të “Shtëpisë me Gjethe” (projekt i Ministrisë së Kulturës)- ose godinës ku në komunizëm qe vendosur Sigurimi i Shtetit dhe aparatura përgjuese e shqiptarëve, janë prezantuar e shpjeguar dje në Tiranë gjatë dëgjesës publike mbajtur në Bibliotekën Kombëtare. “Një prolog mbi godinën e disa sektorë, me pamje, filmime, dokumente dhe fotografi, me dritëhije ku e zeza shërben si shenjim i misterit dhe sekreteve që bart godina, do të gjejnë vend aty”, tha grupi i punës, përbërë nga kuratori Bashkim Shehu dhe studiuesi Gëzim Qendro, historiani Artan Puto, studiuesi Fabian Kati. Për çka u tha dje nga grupi i punës, pati edhe ankesa ose vërejtje nga shoqatat e ish-të përndjekurve, të cilët kërkonin një godinë që nderon martirët, jo një godinë për Sigurimin, megjithatë, mendimet e tyre u mirëpritën nga grupet e punës të Ministrisë, pasi qëllimi i dëgjesës publike ishte prezantimi i fazës ku është projekti dhe vjelja e mendimeve, të cilat u konsideruan të mirëpritura nga ministrja Kumbaro dhe anëtarët e grupit të punës.

Në përgjigje të vërejtjeve a pyetjeve, Bashkim Shehu tha se “torturat nuk dokumentoheshin. Fjala ‘torturë’ del tek-tuk në ndonjë dokument, por del si thënie e viktimave. Ka pak gjëra me audio e video se janë dëmtuar shiritat”. Kuratori i muzeut tha se, me gjithë keqardhjen, “ne nuk kemi tagër për t’u marrë me viktimat ose për të kërkuar ndjesë, ne nxisim reflektimin përmes këtij muzeu. Përgjimi nëse e shkëpusim nga konteksti s’ka kuptim. ‘Shtëpia me Gjethe’ është një vështrim mbi totalitarizmin. Përgjimi është nisja, terrori është mbërritja”. Për projektin është bashkëpunuar me arkitekten Elisabetta Terragni dhe Daniele Ledda.

MINISTRJA
Në fillim, fjalën e mori ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila para të pranishmëve tha se: “Ky është një projekt që ka ngjallur interes jo për atë që është si formë, por për historinë e tij 40-vjeçare. Personalisht jam befasuar se si edhe pas 25 vjetësh të regjimit vijonin të mbeteshin të harruara”. Ajo tha se para dy vjetësh, burgu i Spaçit është vënë në mbrojtje dhe se ai është studiuar, por për momentin ndërhyrja në të rezulton një operacion i vështirë. “Burgu i Spaçit është rrënuar, dhe madje ka humbur autenticitetin. E kemi studiuar me ekspertë dhe rezulton një operacion i komplikuar teknikisht e financiarisht për shkak të rrugës, godinës, objektit dhe parametrave të sigurisë. Pa dyshim, rindërtimi i kujtesës mbetet pjesë e punës sonë”, – tha Kumbaro, duke treguar më tej se janë marrë parasysh mendime të ndryshme për të arritur në këtë fazë, dhe madje shtoi se janë ende të hapura.

Sipas ministres janë dëgjuar përfaqësues të shoqatave që merren me jetët që e kanë pësuar në kurriz, me ata që kanë qenë në shënjestër, dhe se grupi i saj gjithnjë “ka mbajtur vesh e ka mbajtur shënime. Kemi dëgjuar çdo gjë që është thënë, në rrjetet sociale, në intervista e më gjerë. Kemi dosje nga të gjitha mënyrat e komunikimit”. Në fund, ajo tha: “Falënderojmë SHISH-in dhe Arkivin e Shtetit si dhe Bibliotekën Kombëtare, si edhe të gjithë ata që me letra, ose me gojë- kanë ndarë me ekspertët kujtesën e tyre, anonimë a me emër e mbiemër”.

Ajo bëri me dije se kanë dashur “të ndërtojmë një muze që tërheq të gjitha grupet e turistëve e vizitorëve, ne e fëmijët tanë, ne si viktima, ata më viktima se ne dhe xhelatët. Një muze përtej ditëve tona, që t’u shërbejë edhe atyre që do vijnë, e atyre që sot mbase s’kanë lindur”.

KURATORI
Në marrjen e fjalës, kuratori Bashkim Shehu falënderoi ata që kanë bashkëpunuar për informacion si dhe shoqatat e të përndjekurve. Në krye të herës, ai bëri me dije se parimet mbi të cilat u ngrit muzeu e kanë fillesën te përgjimet e Sigurimit të Shtetit, që janë pikënisja e muzeut, ndërsa pikëmbërritja, është kontrolli total nga format më të ndryshme. “Kishte përgjime elektronike dhe pasojat e tyre: arrestime, tortura e dëbime të rënda. Kjo do jetë e ngërthyer me ideologjinë, sepse dy shtyllat e sistemit ishin ideologjia dhe terrori që instaloi: kontrolli, vetëkontrolli e nënshtrimi. Këtë jemi përpjekur të bëjmë. Është, tek e fundit, sistemi i vështruar përmes dritares së shtëpisë së vjetër. Jemi në fazë të avancuar, por dua të them se materialet janë gjetur pothuaj të gjitha, arkivore e dokumentare. Janë mbledhur dëshmi nga dëshmitarët”. Megjithatë, Shehu u tregua i hapur “për mendime nga ato që u vijnë në mendje nga këto që ne po themi, ose edhe të tjera gjëra që ju mund të keni në mendje. Në këtë muze, jemi marrë edhe me atë që quhet ‘atmosfera e misterit’, siç thotë Gëzim Qendro”.

Ai mandej prezantoi disi projektin, me tekstin jashtë godinës, në anë të rrugës që ndryshon, dhe te nënndarjet: Kaleidoskopi, foto e dokumente, aparaturat e përgjimit, pamja nga ana e pasme dhe ato dritëhijet, që janë përdorur ngado, për të dhënë idenë e së zezës që mbulon shumëçka.

Një nga materialet më interesante për të cilin Shehu foli përciptazi, është “një film i Sigurimit të Shtetit duke ndjekur një punonjëse ambasade”. Filmi do të shfaqet në muze kur ky i fundit të hapet dhe Shehu nuk ka dashur të japë më shumë detaje për të: as kush është gruaja, as e cilës ambasadë as se cili qe fati i saj pas përndjekjes nga Sigurimi. Interesit të GSH, Shehu iu përgjigj se dhënia e detajeve tani i bën dëm paraqitjes së filmit në muze dhe forcës së tij.

DOKUMENTE E ARKIVA
Fabian Kati tha dje në dëgjesën publike se muzeu ndahet në sektorë, mbasi fillon me një prolog ku jepet historia e shtëpisë. “Jepet jeta e saj, nga viti 1930-1944, dhe po ashtu jepet paraqitja përmbledhëse e asaj që ndodhi më pas. Si funksionoi vitet e para gjatë e pas luftës, kur quhej Mbrojtja Popullore. Jepet po ashtu informacion për vitet ’50, ’60 e ’70 si dhe shfaqet edhe se si shtëpia përfundon me propagandën që Sigurimi bënte me kinematografi e revista që publikonin në atë kohë”. Në fund Kati vërejti se i referohen një publiku që është i gjerë- të huajve dhe brezave. “Jemi munduar që ta bëjmë zhvillimin sa më këndgjerë. Është një vlerë që po i shtohet vendit, sepse po e shohim me gjakftohtësi e thellim atë kohë”.

Historiani Artan Puto nga ana e tij, u ndal te ajo që e quajti “metodika e përdorur, punë me 4 fronte”. Puto, tha se janë marrë me Arkivin e Ministrisë së Brendshme, Arkivin Qendror të Shtetit, me Arkivin e Partisë së Punës dhe Byrosë Politike si dhe me Bibliotekën Kombëtare si burim, ku janë gjetur revistat e paraluftës. “Kemi marrë një revistë si mjet propagande për të indoktrinuar shoqërinë, revista e Ministrisë së Brendshme në Shërbim të popullit, postera të filmave artistikë që janë bërë për të glorifikuar punën e Sigurimit të Shtetit etj.”. Puto tha se si historian veçon dy fakte: 1- Kjo godinë(muze) shërben si një dritare për të kuptuar historinë e Shqipërisë komuniste. 2- Jepet historia e shtëpisë- që në fillim ishte një klinikë gjinekologjike ku njerëzit vinin në jetë, dhe më pas përfundoi si godinë që merrte jetë.

Mandej, studiuesi Gëzim Qendro, citoi një studiuese ruse të ketë thënë se “e shkuara është më e paparashikueshme se e ardhmja. Sipas saj, krimet e Stalinit dhe fshehja e qëllimtë e tyre na bëjnë sot të çuditemi. Një tjetër thënie ruse thotë: Nëse do të mësosh historinë e SHBA, merr lexo një libër; e nëse do zbulosh historinë e Rusisë, merr lopatën e gërmo. E shoh këtë muze si një lopatë që gërmon sa i takon një gjëje të errët”. Qendro shtoi se komplekset kanë rënë dhe është koha e duhur për këtë muze. “Ky muze nuk është për Sigurimin e përgjimin, por për viktimat e tyre”.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: