Me fanellën e Bayern Munich, Michael Olise është shndërruar në një nga sulmuesit anësor më të mirë në botë. Shifrat e Olise janë fantastike këtë sezon, ku në 46 ndeshje ka shënuar 20 gola dhe ka dhuruar 26 asiste, një mesatare e frikshme, 1 gol/asist për çdo ndeshje. I pyetur në lidhje me paraqitjet e Olise, Harry Kane u përgjigj me bindje: “Sot për sot është sulmuesi anësor më i mirë në botë”, u shpreh Kane.
Së fundmi, Olise u vlerësua edhe nga UEFA duke e përfshirë jo vetëm në formacionin më të mirë të kësaj faze në Champions League, por u vlerësua edhe si lojtari më i mirë. Shifrat dhe forma e Olise janë një garanci më shumë për Bayern Munich për t’i bërë një mbyllje fantastike këtij edicioni, ku janë në garë në çdo turne.

Jo vetëm Olise, Bayern po shijon edhe një super Harry Kane. Ndaj Real Madrid, “bomberi” anglez realizoi golin e tij të 50-të sezonal. Për herë të parë në karrierë, Harry Kane arrin një shifër të tillë. Kësaj dyshe fantastike i bashkohet edhe Luis Diaz, me sulmuesin kolumbian që rezultoi një goditje e vërtetë për Bayern Munich.
Lajmi i vetëm negativ në këtë moment magjik është se Vincent Kompany, arkitekti i këtij ekipi, do të mungojë në ndeshjen e parë kundër PSG në gjysmëfinalen e Champions League, me teknikun belg që plotësoi numrin e kartonëve.
