BE ka startuar programin e vaksinimit masiv në të 27 shtetet anëtare pasi Agjencia e Barnave Europiane dhe më pas KE miratuan prodhimin e Pfizer/ BioNTech.

Në shtetet fqinje të Shqipërisë, Itali dhe Greqi personat e parë që bënë vaksinën ishin dy infermiere që janë në frontin e luftës në spitalet respektive për t’i shërbyer pacientëve me COVID-19.

Në Gjermani akullin e theu një e moshuar plot 101 vjeçe kurse në Suedi po ashtu një e moshuar, 91 vjeçe, ndërsa në Spanjë një 96 vjeçare.

Kjo është dita e parë e fillimit të vaksinimit quajtur ndryshe ”Dita V’, teksa Greqia ka hedhur një hap më të madh pasi po sot dy figurat më të larta të shtetit, Presidentja Katerina Sakellaropoulou dhe më pas kryeministri Kyriakos Mitsotakis morën dozat e para.

BE me të gjitha vendet aktuale ka një popullsi prej 447 milion banorësh, ndërsa ka premtuar se do ndihmojë edhe vendet fqinje si rajonin e Ballkanit Perëndimor apo Europën Lindore. Kontrata më e madhe që ka deri tani BE është me kompaninë farmaceutike AstraZeneca për 400 milion doza, por prioritare programi i vaksinimit masiv ka personelet shëndetësore, azilet e të moshuarve dhe të moshuarit mbi 70 vjeç si dhe punonjësit e institucioneve publike kryesore puna e të cilëve është tepër e rëndësishme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb