Qeveria e Belgjikës ka vendosur ta bëjë të detyrueshëm për udhëtarët nga Kina paraqitjen e një testi negativ për COVID-19.

Vendimi i Belgjikës vjen pasi autoritetet shëndetësore dhe të menaxhimit të krizave të vendeve të Bashkimit Evropian (BE) ranë dakord dje të “ndjekin një qëndrim të përbashkët” dhe të “inkurajojnë fuqishëm” testimin e COVID-19.

Ministri Federal i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, deklaroi se Belgjika do të ndjekë këtë rekomandim dhe do t’u kërkojë atyre që vijnë me fluturim direkt nga Kina të bëjnë një test përpara fluturimit.

“Ne do t’u themi atyre që vijnë nga Kina që duhet të tregoni prova të testimit negativ përpara se të vini, përndryshe nuk mund të vini këtu”, tha Vandenbroucke.

Përveç anëtarëve të BE-së si Franca, Italia, Spanja, edhe disa vende si SHBA, Japonia dhe India kishin marrë disa masa për testimin e pasagjerëve nga Kina.

Vendet e BE-së dhe Shengenit ranë dakord gjithashtu për zbatimin e masave të koordinuara për shkak të rritjes së rasteve të COVID-19 në Kinë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb