Milwaukee Bucks është vetëm një hap larg mbajtjes përfundimtare të vendit të parë të sezonit të rregullt të NBA në Konferencën e Lindjes. Bucks triumfuan në fushën e Indiana Pacers, duke e mposhtur 149-136. Një ndeshje e hapur dhe një nga sfidat me më shumë pikë të këtij sezoni.

Giannis Antetokounmpo ishte sërish protagonist në fushë me një “triple double”, me 38 pikë, 17 rebound e 12 asist. Gjithsesi, shënuesi më i mirë për Bucks ishte Holiday me 51 pikë.

Po në këtë konferencë, pas 3 humbjeve radhazi, është rikthyer te fitorja Philadelphia, që mundi në shtëpi 116-108 skuadrën e Dallas. Si gjithnjë, shënuesi më i mirë ishte Embiid, që realizoi 25 pikë, duke i bërë të pavlefshme 47 pikët e dyshes Doncic-Irving. Pas kësaj humbje, Mavericks rrezikojnë pjesëmarrjen në play-off.

Ndërsa në Perëndim fiton ekipi i Los Angeles Lakers, që mundi 121-110 Chicago Bulls, duke u hakmarrë për humbjen e pak ditëve më parë. Davis me 38 pikë e 10 rebound, si dhe LeBron James me 25 pikë ishin protagonistë për miqtë. Me këtë sukses, Lakers ngjiten në vendin e nëntë, në zonën play-in.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb