TIRANE- Të hënën e kësaj jave deri në datë 30 qershor prindërit kanë mundësi të bëjnë regjistrimin e fëmijëve të tyre në çerdhet publike të Tiranës. Gjithçka që duhet të bëjnë ata, është dorëzimi i certifikatës së lindjes së fëmijës, marrë nga njësia vendore që ka në juridiksion çerdhen, si dhe plotësimin e një formulari pranë çerdhes përkatëse. Duke qenë se kapacitetet e çerdheve publike nuk i mbulojnë të gjitha kërkesat e qytetarëve në regjistrimin e fëmijëve, do të ndiqet rendi sipas kërkesave të bëra.

“Nga data 22 qershor deri në datë 30 qershor 2015, pranë çerdheve publike të njësive vendore përkatëse, bëhet plotësimi i formularëve të aplikimit për regjistrim të fëmijëve në çerdhet e Bashkisë Tiranë, sipas rendit të kërkesave të bëra, kapaciteteve akomoduese e planit të pranimeve. Dokumenti i domosdoshëm për aplikim është certifikata e fëmijës lëshuar nga njësia bashkiake që ka çerdhen në juridiksion. Aplikimet fillojnë nga ora 10:00 deri në orën 14:00, çdo ditë përveç ditës së shtunë dhe të diel”, shkruhet në njoftimin e lëshuar nga Qendra për Edukimin dhe Zhvillimin e Fëmijëve.

Në kryeqytet janë gjithsej 30 çerdhe publike, të cilat përballojnë një kapacitet prej më shumë se 3 mijë fëmijësh, ndërkohë që kërkesat janë shumë herë më të larta.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: