GREQI-Kryeministri grek, Aleksis Cipras u kërkoi qeverive të vendeve anëtare të BE-së hartimin e menjëhershëm të një plani koherent për përballimin e krizës humanitare me të cilën po ndeshet Evropa nga flukset e emigrantëve dhe refugjatëve.

“Tragjedia e re humanitare me qindra të vdekur pranë brigjeve të Lampeduzës, na mbush me trishtim dhe shqetësim. Askush prej nesh nuk mund të qëndrojë indiferent kur qindra shpirtra humbasin në detin Mesdhe, në përpjekjen e tyre për t’u larguar nga lufta dhe varfëria”, deklaron Cipras me anë të një komunikate.

”Evropa nuk mund t’i referohet vlerës supreme njerëzore, nëse nuk mobilizohet që të ndalojë kjo tragjedi e vazhdueshme. Të pushojë Mesdheu së qeni një det-varrezë. Mesdheu ishte dhe duhet të bëhet sërish vetëm djep qytetërimi, tregtie, komunikimi, humanizmi. U bëj urgjentisht thirrje qeverive të vendeve anëtare të BE për hartimin e menjëhershëm të një plani koherent për krizën humanitare me të cilën po përballemi”, theksoi ai.

”Ne duhet të përmirësojmë strukturat e menaxhimit të emigracionit dhe kërkim-shpëtimit në Mesdhe, të mbështesim vendet evropiane mesdhetare që pranojnë flukse emigrantësh dhe refugjatësh shumë më të mëdha se kapacitetet e tyre, me një shpërndarje të drejtë të barrës në nivel ndihme ekonomike dhe akomodimi dhe të ideojmë iniciativa diplomatike për një zgjidhje paqësore të konflikteve në Siri, në Irak dhe në Libi, si dhe për përballimin rezultativ të xhihadizmit”, tha Cipras.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: