NGA ANILA JOLE*
BRUKSEL
-Kryeministri grek, Aleksis Cipras takoi në Bruksel Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe kreun e Parlamentit Evropian Martin Shulz. Atmosferë mjaft miqësore mes Cipras e Junker, të cilët u shfaqën të qeshur e dorë për dorë teksa hynin në takim. Ndërkaq pas takimit me kreun e Parlamentit, Shulz e Cipras dhanë një konferencë për shtyp, ku Presidenti i PE deklaroi se respekton vendimin e popullit grek dhe se Greqia është e mirëpritur në institucionet evropiane. Sipas Shulz, fakti që kryeministri grek po takon liderët e BE, tregon se ai po lufton për bashkëpunimin dhe jo për ndarjen e BE. Kreu i PE theksoi se është i rëndësishëm dialogu mes Greqisë dhe BE për të gjitha çështjet.

Nga ana e tij, Cipras ka kërkuar të respektohet sovraniteti i popullit grek dhe shprehu vullnetin e qeverisë greke dhe gatishmërinë e saj për të arritur rezultate, duke theksuar se Athina respekton rregullat e BE dhe beson se mund të gjendet një zgjidhje pranueshme dhe e qëndrueshme për popullin dhe vizionin e përbashkët.

Në vazhdim të udhëtimit të tij, Cipras do të shkojë në Paris, për bisedime me Presidentin francez, Francois Hollande. Një ditë më parë, Kryeministri grek ishte në Romë ku u takua me homologun e tij italian Mateo Renzi.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: