Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku i është drejtuar deputetit të PD, Fredinant Xhaferri pas termit “çupëlina” të përdorur prej tij, në drejtim të ministreve të qeverisë.

Ministrja ka thënë se një gjuhë e tillë nuk duhet përdorur, pasi në parlament e ndjen veten të barabartë. Ajo thotë më tej, se argumentimi se kabineti i Ramës është më shumë i mbushur me gra, nuk është argument që mund t’i sulmojë ata politikisht.

“Keni një vajzë që e keni ekselete e është gocë shumë e mirë dhe profesioniste. Si baba i një vajze si e gjeni guximin të ofendoni gratë. Unë s’e ndaj shumë mendimin gra dhe burra në parlament sepse mendoj që jemi të gjithë të votuar. E vetmja gjë që gjeni për ti thënë qeverisë Rama është se ka gra e çupëlina tregon që jemi mirë e ju mëreni me këtë argument. I drejtohem kolegeve demokrate. A ndiheni mirë kur dëgjoni kolegët tuaj kur flasin për gratë në këtë gjuhë?

A i thoni ndonjë fjalë kolegut që të paktën të mos e përsërisë më? Kolegët tanë nuk dalin t’ju marrin nëpërkëmbë e as t’ju ofendojmë. Është kthyer në qesharake. Është mirë të mblidhni këto burra e të merren me diçka tjetër e jo për faktin se jemi gra, çupëlina apo të vjetra në moshë. Nuk është ky argumenti për të na goditur politikisht, ka shumë argumente të tjera”, Balluku.

Nga ana tjetër, Xhaferri shpjegoi kontekstin në të cilën e ka përdorur atë term, duke iu referuar moshës së re të ministrave, e duke shtuar se shumica prej tyre e kanë nisur funksionet publike në këto dikastere.

“Në kulturën time nuk e kam problem për të kërkuar falje e ndjesë. Të jesh ministër nënkupton eksperiencë, kontribut, gjysma e zonjave ministre aty e kanë filluar për herë të parë me profesionin e ministrit. Në këtë kontekst përmenda fjalën çupëlinë, duke nënkuptuar këtu edhe vajzën time që është e shkolluar ekselente, por kurrë nuk e mendoj që për moshën që ka është në gjendje të shërbejë si ministre”, tha Xhaferri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: