Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt dhe shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, kanë reaguar pas deklaratës së ish-ministrit të punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli për komentet e tij sa i takon lehtësimit të vizave që Bashkimi Evropian bëri për Bjellorusinë. Pacolli kërkoi përgjigje nga ambasadori gjerman, Christian Heldt, dhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, për faktin nëse ata kanë ndonjë gjë për të thënë sa i takon vendimit të BE-së për lehtësimin e vizave për Bjellorusinë, derisa Kosova sipas tij, pret liberalizimin që një kohë të gjatë.

Ambasadori gjerman, Christian Heldt, tha se vendimi për Bjellorusinë nuk është heqje e vizave.
“Mirë, por pse nuk do të duhej që për hir të njerëzve atje të bëjmë atë që aplikojmë në Kosovë që nga pavarësia në vitin 2008? Lehtësimi i vizave nuk është liberalizim i vizave. Vetëm sa për të sqaruar se për çfarë po flasim”, ka shkruar ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt. Ndërkohë shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se Kosova ka kapërcyer këtë hap kohë më parë.

“BE-ja nënshkroi marrëveshjen për lehtësimin e viza me Bjellorusinë e që është një kategori nën marrëveshjen për heqjen e vizave që Kosova është afër përmbylljes me Bashkimin Evropian. Marrëveshja e lehtësimit është një hap fillestar për ta bërë lëshimin e vizave më të lehtë dhe jo për t’i shfuqizuar ato. Flamuri i Kosovës anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt për heqjen e vizave”, ka shkruar Apostolova. Këto komente u bënë në rrjetin social Twitter. Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon qytetarët e së cilës nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane. Procesi i liberalizimit të vizave ka ngecur në Bruksel në ndërkohë që liderët politikë në Kosovë vazhdimisht kanë thënën se janë plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb