Analisti Fatos Lubonja e ka quajtur skandaloze deklaratën e Presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen për të mos votuar Georgia Melonin.

Duke folur në “Pikat mbi i” në News 24 Lubonja tha se klasa politike aktuale në Europë është bërë arrogante dhe nuk i pranon rrotacionet.

Ndërsa sipas Artur Zhejit, zyrtarja e lartë e BE-së mund të ketë më shumë informacion për Melonin që ka bërë atë deklaratë.

Pse po alarmohet Europa?

Lubonja: Është e vërtetë që Euriopa është e shqetësuar me fitoren e Melonit, aq sa përpara zgjedhjeve Von Der Leyen bëri një deklaratë që u prit keq në Itali kur tha se “do ta trajtojmë si Hungarinë dhe Poloninë”. U prit keq sepse thanë që Italia është vend demokratik. Shqetësimi është, ka pasur ndërhyrje skandaloze që tregojnë një gjë: gjithnjë e më shumë kjo klasë dominonte është bërë arrongante dhe mendon se vetëm ne mund të qeverisim. Fitorja e Melonit është fitore e demokracisë. Meloni duke qenë në opozitë mori votat e ndëshkimit të atyre që ishin në pushtet me Draghin si simbol i një klase dominante. Meloni është shumë e kufizuar për të bërë gjëra jashtë këtij sistemi që është ngritur. Ka qenë sovraniste por tani thotë se “si gjermanët që shohin vendet e tyre, edhe italianët duhet të shikojnë veten e tyre”. Kërcënimi se mund të kthejë diktaturë nuk qëndron. Diktaturën e kanë ndërtuar këta të tjerët që nuk duan as rrotacion. Gjykimi im është që shumë shpejt ajo do jetë në krizë. Një teori është që Draghi iku shpejt se kishin frikë që po të fillonin faturat me Draghin do të shkonte shumë më keq rezultati. Nëse do bëheshin zgjedhjet vitin tjetër, faturat do të ishin të tmerrshme. Nuk dihet se si do të shkojë e ardhmja.

Zheji: Me Melonin kryeministre dhe Salvinin ministër i Brendshëm dhe Berluskonin në krahun e djathtë, mendohet se Vladimir (Putin) nuk do ta ndërpresë furnizimin me gaz të Italisë, mendohet se Italia do të jetë e “llastuara” e BE-së. Mendoj se fitorja e Melonit është fitore e egoizmit nacional dhe është një hap larg Europës. Orkestra europiane nuk do të ketë harmoni dhe Meloni do ta bëjë këtë gjë. Mendoj se do të kemi një Europë më të dobët, më të defaktorizuar përballë luftës në Ukrainë. Italia ndoshta fitoi, por Europa humbi një aleate shumë të fortë.

Lubonja: Zheji po ngulmon te lufta në Ukrainë. 50% e italianëve janë kundër luftës në Ukrainë. E vetmja parti që është kundër luftës në Ukrainë është e majta e Fratoianit me të gjelbrit që kanë marrë 3.5%. i vetmi pozicion më afër Putinit ka qenë Salvini dhe flet për sanksione të rishikuara. Partia e dytë që është parti më skeptike është 5 Yjet e Contes që u largua nga Qeveria Draghi që kërkoi të pyetej Parlamenti nëse duheshin çuar armët në Ukrainë.

Zheji: Ndoshta zonja Von der Leyen ka informacione më shumë se ne që e ka bërë atë deklaratë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb