NGA DARINA TANUSHI

TIRANE– Deputeti socialist i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja e cilësoi shkelje të rëndë të ligjit, faktin që prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Lalla kërkon ta zgjedhë vetë zv/kryeprokurorin. “Gazeta Shqiptare” publikoi pak ditë më parë urdhrin e Kryeprokurorit për mbledhjen që do të zhvillohet ditën e hënë dhe ku pritet të zgjidhet zëvendësprokurori i Përgjithshëm. Dhe kjo procedurë, sipas deputetit që ka qenë njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi është e paligjshme. Sipas Ulsi Manjës, do të jetë kryeprokurori i ri që do ta ketë këtë kompetencë dhe jo Llalla.

“Nëse do të ndodhë ky veprim, do të ishte një shkelje e rëndë e ligjit nga ana e prokurorit të Përgjithshëm në detyrë, pasi Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë e ka përcaktuar mjaft qartë procedurën mënyrën dhe kush e zgjedh zëvendësprokurorin e Përgjithshëm. Zv/prokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga prokurori i ri që do të zgjidhet”, u shpreh deputeti i PS-së, për mediat.

Pozicioni i zv/prokurorit rikthehet në Shqipëri pas 19 vitesh. Ky post është përcaktuar me ndryshimet ligjore, në kuadër të reformës në drejtësi. Vendimi është firmosur më datë 29 dhjetor 2016 nga prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ndërkaq, sipas vendimit, prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla thërret Mbledhjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme për të marrë vendimin e saj.

“Zëvendësprokurori i Përgjithshëm zgjidhet nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme, që plotësojnë kriteret e parashikuara nga ligji. Drejtori i Kabinetit në bashkëpunim me specialistin e Burimeve Njerëzore në Prokurorinë e Përgjithshme përgatisin një relacion me emrat e kandidatëve që plotësojnë kriteret ligjore”, citohet në vendimin e Llallës. Ndërkaq, deputeti i PSsë tha se, “sa u takon transferimeve e emërimeve apo ngritjeve në detyrë, janë të limituara sipas Kushtetutës dhe ligjit për Prokurorinë. Më lejoni të them se prokurori i Përgjithshëm në këtë fazë të reformës në drejtësi ka të drejtë të bëjë vetëm emërimin e përkohshëm të magjistratëve, ndërsa e gjithë pjesa tjetër është në shkelje të ligjit për Prokurorinë, që tashmë është në fuqi”.

Manja tha gjithashtu se hyrja në fuqi e ligjeve të reja të reformës ende pa u ngritur institucionet nuk e pengon aspak punën e prokurorisë dhe gjykatës.

“Këto janë pretendime të një kategorie njerëzish, që ose e komentojnë reformën në drejtësi nga jashtë, ose nuk e duan atë. Por, më vjen mirë që kjo reformë është kuptuar si duhet nga gjyqtarët e prokurorët që janë në ushtrimin e detyrës së tyre”, tha Manja.

Deputeti socialist ftoi gjyqtarët e prokurorët të aplikojnë për vendet e hapura për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, që janë dy institucionet e reja që do të ngrihen, por që kanë edhe kriteret më të rrepta për ata që do të hyjnë. Mësohet se për 5 vende që janë bosh, për Këshillin e Lartë Gjyqësor kanë aplikuar vetëm 3 kandidatë, një numër shumë i ulët ky, ndoshta pikërisht për shkak të këtyre kritereve.

“Ftoj komunitetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nxis elementë me integritet të lartë moral dhe profesional që të bëhen pjesë e kësaj gare, pasi edhe procedurat e seleksionimit për ata që do të bëhen pjesë e garës në këto dy organe të drejtësisë do të jenë tepër korrekte dhe strikte”, deklaroi Manja.

Avokatët dhe juristët që kanë interes të kandidojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor apo dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë duhet të paraqesin kërkesën dhe dokumentet, drejtuar Avokatit të Popullit brenda datës 28 janar. Ndërkaq, më 9 janar u njoftuan gjyqtarët dhe prokurorët për postin vakant, afati i të cilëve është dorëzimi i dokumenteve pranë sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit deri më 16 janar.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb