Majën ylli i Agim Kajmakut në politikë e arriti me kandidimin në zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 për bashkinë Vorë, me fitoren e mandatit në një garë pa opozitën e PD-së përballë, e cila kishte zgjedhur bojkotin.

Në fushatën e atij viti ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku do ta quante si zyrtarin që do t’i kuptonte qytetarët kur t’i trokisnin në derë.

“Agim Kajmaku është njëri prej jush. Është ai që ju ka ardhur në të mira dhe në të këqija. Është ai që ka ndarë hallet tuaja dhe që ju e njihni mirë. Është ai që do kuptojë kur t’i trokisni në derë dhe është zotuar para nesh që dera e tij do jetë e hapur për këdo nga ju këtu”, do të deklaronte Belinda Balluku.

Kurse për Edi Ramën Agim Kajmaku ishte atëherë njeriu i punës dhe kokëfortë si puna e tij.
“Për Gimin nuk po flas se Gimin ju e njihni. Gimi nuk është doktor shkencash si Monika. Gimi është si puna ime. As unë nuk jam doktor shkencash, por është njeri i punës. Është njeri këmbëngulës. Është njeri që iu shkon gjërave deri në fund. Është kokëfortë dhe për kokëfortë jemi një grup i mirë këtu ne”, deklaronte Rama.

Ndërkohë pas zgjedhjes problemet me ligjin e dekriminalizimit rrodhën shpejt për Agim Kajmakun, por kryeministri Edi Rama do të vazhdonte ta mbronte me forcë Agim Kajmakun dhe të ironizonte opozitën për akuzat e ngritura.

“Si është e mundur që një burrë i cili nuk ka paguar një gjobë në jetën e vet dhe për të cilin nuk verifikohet asgjë, zero, fare ju e fusni dhe i bëni tre. Ju këtu, ti tani. Pse i bën tre. Ça i dhanë këta Shqipërisë dhe dalin pozojnë atje, krimi, krimi, droga, droga, krimi, krimi, droga, droga rërërërrë. Kajmaku, kosi, gjiza, gjalpi, krimi, droga, kajmaku, duduja, bubuja, guguja, njerëz, fut kompani, merr njerëz atje, oligarku, gjoka, ndoka, hoka, boka, ça janë këta mo ça janë këta. Kujt i ndodh kjo, unë s’kam parë”, deklaroi Rama në “Real Story” në News24.

Historia më pas dihet si shkoi. Agim Kajmakut iu hoq mandati nga KQZ, u shpall në kërkim nga prokuroria për falsifikim dokumentesh, u arrestua pas disa muajsh arrati dhe pas një dënimi simbolik iu rikthye jetës private. Ndërsa rreth një vit më parë u arrestua për trafikimin e 20 kg kokainë në Itali për t’u liruar më vonë nga Gjykata.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb