TIRANE

Të tjera detaje dalin në dritë nga vetëdorëzimi i Klement Balilit, i cilësuar nga mediat greke si ‘Eksobari i Ballkanit’ ndërsa ishte shpallur në kërkim për trafik ndërkombëtar droge.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se Balili u vetëdorëzua sot në orën 8:45 te kthesa e Shijanit, mes Delvinës dhe Finiqit, ndërsa gjithçka u bë në prani të drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Mes të tjerash ‘BalkanWeb’ mëson se Balili ka qenë i shoqëruar nga nipi i tij Rigers Balili, ndërsa ai është shoqëruar drejt Tiranës nga Veliu.

Si fillim Balili u dërgua në ambientet e komisariatit nr.6 në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë. Ndërkohë, gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se Balili pasi u mor në pyetje në komisariatin nr.6, ai u shoqërua drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës me një makinë Shqiponja, ndërsa brenda saj kishte 6 efektivë. Ky mjet shoqërohej edhe nga dy makina të tjera me punonjës policie. Edhe avokati i Balilit, Theodhori Sollaku tha se klienti i tij pas marrjes në pyetje, shkoi në Drejtorinë e policisë së Tiranës.

Prej muajit maj të 2016 Klemend Balili, është shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Athinës, që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”. Balili arriti t’i shpëtonte prangave, ndërsa ka dyshime të forta se operacionet janë dekonspiruar nga njerëz që bashkëpunonin me trafikantin e kërkuar edhe nga DEA amerikane.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb