POGRADEC- Zulohen të tjera detaje rrëqethëse nga vrasja makabre e 49-vjeçares Demirkë Mekolli nga bashkëshorti i saj Bashkimi, një ditë më parë, në oborrin e banesës së të atit, i cili i kishte srehuar për shkak të problemeve ekonomike që kishin.

Burime konfidenciale nga policia e Korçs, siç konfirmon për BalkanWeb gazetarja Ledjona Xheladinaj, viktima ka qenë duke larë enët në oborr, në momentin që është goditur me sqepar pas koke nga bashkëshorti agresiv.

Pasi e la të pajetë në obrrin e shtëpisë, aty ku e gjeti vjehrri dhe kunati të mbular me gjak, autori ka telefonuar motrën e viktimës në Itali dhe i ka thënë që motra e saj ka pësuar infrakt.

Më pas ka lajmëruar kunatën, gruan e vëllait të tij dhe i ka thënë: “Lajmëro policinë se e vrava”.

Në momentin që ka mbërritur vëllai i autorit dhe babai i ka kërcënuar se do i vrasë edhe ata. Autori pasi ka kryer krimin është kapur nga vëllai dhe e ka shtrirë përtokë deri sa ka ardhur policia dhe e ka arrestuar.

Në dëshminë e zbardhur nga BalkanWeb ai ka deklaruar se e ka vrarë për xhelozi dhe nuk është penduar. Ai thotë se sherri me të shoqen ka nisur që darkën e së shtunës, ndërsa të dielën nuk ka duruar dot duke kryer aktin e rëndë.

“Nuk jam bërë pishman për atë që bëra. Ne grindeshim çdo ditë, dyshoja se ajo me tradhtonte”,- ka thënë ai siç raporton BalkanWeb.

Familjarët kanë hedhur poshtë deklaratën e tij duke pohuar se fajtor është ai dhe Demirka (viktima) ishte punëtore dhe e ndershme.

Familjarët e viktimës kanë tërhequr trupin në morgun e Pogradecit dhe sot kryejnë ceremoninë mortore. Mësohet gjithashtu se ata nuk kanë pranuar asnjë prej familjarëve të autorit në varrim.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb