Më 1 qershor 2022 hynë në fuqi ndryshimet ligjore që ndalonin përdorimin e një kategorie qesesh plastike të pariciklueshme, por dhjetë muaj më pas, duket se gjithçka është kthyer si më parë.

Një vëzhgim i këtij reporteri në disa tregje në Tiranë gjeti se në shumicën e tyre shihen të varura qese plastike njëpërdorimshme, të cilat janë të ndaluara të qarkullojnë në treg. Po ashtu, një sondazh nga organizata “Qëndresa Qytetare” me 300 të anketuar në tetor 2022, gjeti se 70 për qind e tyre vijonin të përdornin qeset plastike, edhe pse kostoja e blerjes së tyre ishte rritur.

Ndryshimet ligjore për qeset plastike u mirëpritën nga ambientalistët, të cilët bëjnë thirrje për zbatimin e tyre.

“Neglizhenca e autoriteteve në zbatimin e ligjit ka bërë që tregtarët t’i rifusin sërish në qarkullim,” tha ambientalisti Lavdosh Ferruni për BIRN.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi tregojnë se ndryshimet ligjore nuk janë shoqëruar me masa konkrete dhe ndëshkimet kanë qenë minimale.

E pyetur nga BIRN për zbatimin e ndryshimeve ligjore, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tha se po priste rezultatet e një inspektimi në terren.

“Aktualisht po vijon inspektimi nga Task-Forca në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë nga institucionet e përcaktuara në Urdhër, deri më datë 1 Tetor 2023, në të cilën do të hartohet raporti mbi problematikat dhe progresin e zbatimit të legjislacionit në fuqi,” tha Ministria në një përgjigje me shkrim.

Ndërsa Inspektoratit Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, institucion i ngarkuar nga ligji për zbatimin e ndryshimeve ligjore, bëri me dije se kishte kryer 2584 verifikime në terren dhe kishte gjetur vetëm 4 shkelje.

Sipas Inspektoratit, katër bizneset janë ndëshkuar me gjobë, ndërsa janë sekuestruar rreth 170 kilogramë qese plastike që prej hyrjes në fuqi të ligjit.

Ndotja e shkaktuar nga plastika është një ndër problemet kryesore mjedisore në Shqipëri, ku sipas Planit Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve, prodhohen 198 ton mbetje plastike në ditë me densitet të ulët dhe 111 ton mbetje plastike në ditë me densitet të lartë.

Megjithatë, tregtarë të ndryshëm i thanë BIRN se situata nuk kishte ndryshuar për shkak të mungesës së penaliteteve.

“Zbatimi i ligjit u bë vetëm në muajt e parë, pasi pati dhe kontrolle. Por kur kuptuam se gjoba nuk po vendoseshin dhe kontrolle nuk kishte më, qeset plastike u rihodhën sërish në treg,” tha një tregtar fruta-perimesh.

Ai shtoi se qeset njëpërdorimshme ishin të lira dhe mund të jepeshin falas dhe se qytetarët nuk preferonin t’i blinin qeset. Sipas tij, kudo mund të blesh qese, që sipas ligjit janë të ndaluara.

Edhe qytetarët tregojnë se qese mund të gjesh kudo. “Në çdo dyqan të vogël gjen qese, vetëm te marketet e mëdha nuk i japin pa lekë,” tha një pensioniste. Ajo tregoi se blerjen e frutave dhe perimeve e bën në ato dyqane ku ka qese falas.

Qeset plastike janë vetëm një ndër zërat e shumtë të plastikës që kontribuojnë në ndotjen e vendit, por Ministria e Turizmit dhe Mjedisit i tha BIRN se deri tani nuk ka asnjë nismë për të vendosur ndalimin e plastikave të tjera.

“Për produktet si shishet e ujit, qumështit etj. apo edhe ambalazhimin e produkteve ushqimore, nuk ka nismë për ndalimin e tyre në vendin tonë,” u përgjigj ministria.

Ndryshe nga Ministria, ambjentalisti Lavdosh Ferruni thotë se qeveria duhet të avancojë me ndalimin e produkteve të tjera të plastikës si një vizion afatgjatë për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Tani do duhet të kishim ndalimin e plastikëve njëpërdorimshme, si pjata, pirunj, lugë etj. Fakti është se aktualisht kemi shkuar në pikën zero në betejën me plastikat,” përfundoi ai./reporter.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb