TIRANË- Një ditë pas dhunimit të priftit Kristo Papa, babait të kreut të Omonias, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dënon aktin dhe u kërkon autoriteteve të vënë para drejtësisë autorët.

“Shprehim indinjatën e thellë dhe dënojmë pa asnjë ekuivok aktin e dhunës ndaj Meshtarit Orthodhoks Kristo Papa të ndodhur në zonën ku historikisht, dhe në numra të konsiderueshëm, jeton dhe zhvillon aktivitetin e tij Komuniteti Etnik Grek”, thuhet në reagim.

Sipas PBDNJ-së, ky agresion është produkt i klimës së pasigurt dhe intolerancës që përshkon shoqërinë.

“Pa paragjykuar motivet dhe hollësitë e tjera të ngjarjes, e konsiderojmë këtë agresion të shëmtuar produkt të klimës të pa sigurt dhe intolerancës së thellë që përshkon kohët e fundit shoqërinë tonë. Ngritja e dorës ndaj një kleriku dhe njëkohësisht një personi të moshuar tregon krizën e thellë morale dhe është jashtë çdo kodi që tradicionalisht është respektuar nga shoqëria e jonë. Duke nxitur autoritetet kompetente për zbardhje sa më shpejtë të ngjarjes, kapjen e autoreve dhe vënien e tyre para drejtësisë”, përfundon deklaratën PBDNJ.

Prifti Kristo Papa u dhunua dje në banesën e tij, nga dy persona që kishin shkuar për të vjedhur. Në një intervistë për Gazetën Shqiptare ai deklaroi se dy personat ishin të armatosur dhe ishin prezantuar si punonjës të anti-drogës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: