Anëtari i Këshillit Kombëtar në PD Dorjan Teliti, në një intervistë në rubrikën Opinion në News24, duke folur për tentativat për dakordësi mes maxhorancës dhe opozitës, deklaroi se nuk ka marrëveshje mes palëve, por vetëm dialog.

Teliti theksoi se opozita nuk kërkon favore nga Rama. Sipas Telitit, ka përpjekje për dakordësi në parim mes palëve për respektim të Kushtetutës dhe rregullores.

“PD ka pasur një mbledhje të saj dhe u vendos që Gazment Bardhi të na përfaqësojë. Më pas u mblodh Konferenca e Kryetarëve dhe po përpiqet të arrihet dakordësi për disa çështje shumë të rëndësishme. Është dialog pra, jo marrëveshje. Opozita ka kërkuar vetëm respektimin e Kushtetutës. Spektri opozitar është i madh dhe tashmë ka dakordësi në parim midis maxhorancës dhe opozitës për të respektuar Kushtetutën.

Është diskutim mes përfaqësuesve të PS-së dhe të opozitës. Kemi rënë dakord për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore dhe kemi kërkuar ndryshime në Reformën Zgjedhore. Ne nuk kërkojmë favore nga Edi Rama, por kërkojmë respektimin e Kushtetutës dhe të rregullores së parlamentit. Shqipëria sot ndodhet në një krizë të rëndë ekonomike e sociale, kemi gati 1 milionë shqiptarë që po ikin me tragete e avione nga vendi. Situata në vend duhet të ndryshojë. PD sot është e bashkuar dhe do ta fitojë betejën për demokraci”, deklaroi Teliti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb