Një nga shprehjet më epike në kohën e Depresion te Madh të viteve 30’ të shekullit të kaluar ishte e ‘babait’ të ekonomisë, Keynes, i cili thoshte… ”Në një kohë afatgjatë jemi të gjithë të vdekur”…
Në thelb, Keynes, apelonte që në kohë të krizave epokale sikurse kjo që po përjetojmë sot në nivel global, prespektiva dhe planifikimi afatgjatë thjesht nuk kanë rëndësi, për shkak se gjithcka jetike varet nga menaxhimi afatshkurtër i situatës.

Në kontekstin e realitetit tonë shqiptar, rëndom po dëgjojmë kudo shprehjen ”jetojmë sot për nesër”. Historikisht, si shqiptarë kemi bashkëjetuar me pasigurinë, duke filluar nga ajo ekzistenciale si entitet shtetëror e deri tek përditëshmëria e cdo familje, e cila sot më shumë se kurrë përjeton frikshëm pasigurinë për shëndetin, për ekonominë dhe financat, për rendin publik, për arsimimin e fëmijëve, për pronësinë etj.

Me të drejtë, sot debati global vërtitet mes dilemës: A duhet të shpëtojmë shëndetin dhe jetën e njerëzve edhe duke sakrifikuar ekonominë, apo të shpëtojmë ekonominë pavarësisht se disa prej nesh nuk do t’ja dalin të fitojnë betejën me Covidin?

Personalisht mendoj se mund ti shpëtojmë të dyja nëse kemi strategjinë e duhur dhe ndërmarrin masat e nevojshme në kohë sa më të shkurtër.

Karantina e plotë si ajo e pranverës nuk është më një opsion. Tashmë jetojmë në një ”Normale te Re” të ekonomisë. Na duhen doktorë që mendojnë si ekonomistë dhe ekonomistë që mendojnë si doktorë dhe të dyja palët si shtetarë. Kjo është një sfidë përtej llogoreve, lojës dhe interesave politike të ditës.
Nuk ka asnjë dyshim se buxheti i shtetit dhe investimet duhet të kenë vetëm dy prioritete, njëra është shëndetësia dhe tjetra është mbajtja ekonomisë në shina për mos të lënë në rënie të lirë konsumin dhe punësimin, sikurse po ndodh.

Modestisht, mendoj se jemi shumë të vonuar për publikimin e një ”Plani Shpëtimi” që praktikisht do të adresonte këto urgjenca:

Në planin shëndetësor besoj se duhet të merreshin këto masa :
1. Një proces testimi ‘rapid’ të ngjashëm me procesin e votimeve në nivel kapilar në të gjithë Shqipërinë, sikurse e bëri dhe Sllovenia e disa shtete të tjera, vetëm brenda nje fundjave.

2. Pas testimit masiv, do të kishim një hartë të qartë gjeografike të pandemisë. Hapi i rradhës do të ishte përqëndrimi i investimeve me aparatura, medikamente për kurimin e rasteve të infektuar dhe stafe përkatëse të trajnuara sipas specifikes së shkallës së rrezikut për secilën zonë. Ajo që dimë me siguri është që nuk mund të ‘prodhojmë’ apo ‘importojmë’ infermierë dhe mjekë brenda pak muajsh, por na duhet të ‘optimizojmë’ dhe ‘trajnojmë’ maksimalish kapacitetet që kemi aktualisht në të gjithë vendin.

Të gjitha këto shpenzime duhet të beheshin me shpenzime buxhetore 100%, përfshi dhe kostot e kripura që paguajnë qytetarët për kurën ndaj Covid-19. Fatkeqësisht, statistikat tregojnë që varfëria është shtuar me 8% vetëm për faktin se shpenzimet mjekësore me faturë dhe pa fatura janë të papërballueshme edhe për një familje me të ardhura mesatare.

Fatkeqëisht, në planin ekonomik situata do të bëhët me keq përpara se të bëhët më mirë. Thënë ndryshe, me kalimin e optimizmit të ‘diellit’ të sezonit veror dhe pasigurisë ekonomike që reflektohet në konsumin dhe investimet private, në mungesën e investimeve të huaja dhe në pasigurinë politike që normalisht sjellin periudhat parazgjedhore, do të kemi një “valë të dytë” të falimentimeve masive të biznesit.

Prandaj, një qeveri e përgjegjshme do të duhej që deri në mesin e 2021 të kalonte një pjesë të rëndësishme të shpenzimet buxhetore nga krahu i investimeve publike në infrastrukturë, të cilat në rastin më të mirë impaktin në ekonomi do ta kenë të paktën me 2 vite kohë vonesë, në krahun e përforcimit të ”rrjetës sociale”duke injektuar direkt parash për shtresat më vulnerabël të shoqërisë dhe në ndihmë të bizneseve të vogla dhe të mesme.
Pasiguria është fatura më e lartë që duhet të paguajmë të gjithë me taksat tona. Sot, në cdo rast, do të jetë më lirë se nesër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: