Në kuadër të Ditës së Edukimit, Saranda zgjodhi të zgjojë dhe edukojë dëshirën për lexim dhe për qarkullimin e librit.  Në hollin para ndërtesës së Bashkisë gjeni tani Shtëpizën e librit, ku shkruhet sllogani i lëvizjes “Sill një libër, merr një libër”. Vizitorë dhe donatorë të parë të kësaj Shtëpize u bënë një grup nxënësish nga Shtëpia e Fëmijës “Vangjel Pulla” në Sarandë. Ata iu afruan rafteve të saj duke lënë në to librin e lexuar e duke marrë që andej tituj të rinj.

Nuk munguan edhe autorë sarandiotë që dhuruan botimet e tyre, duke pasuruar kështu Shtëpizën e Librit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Kjo Shtëpizë erdhi si inciativë e Bashkisë dhe si materaializim i ambicies së Kryebashkiakut Gurma, për t’iu afruar edhe Saranda praktikës shumë të njohur të botës së qytetëruar, që librin dhe leximin e ka pjesë të përditshmërisë.

Vangjel Xhani, një guidues me shumë përvojë, që shoqëron prej tri dekadash grupe të turistëve të huaj në atraksionet e Sarandës, dritaret e Shtëpizës së Librit, i krahason me një ekran të kulturës dhe dijes.

Mund të mos jetë kohë e mirë, por prej kësaj dite të parë të kësaj Shtëpize, shtohen ata që gjejnë kohë dhe i drejtohen asaj me një libër nën sqetull, për ta lënë atje e për të marrë që andej një tjetër libër, të palexuar.

Është e vetmja “shtëpi” pa çelës, e cila qëndron e hapur për këdo, duke qëndruar atje si një market kulture. Edhe si një ftesë dhe qortim që librin në këto dekada e kemi larguar disi, duke e tepruar me televizorin, me celularin, me ipadin dhe kulturimin dixhital.

Shtëpiza e librit ka rrugë për të bërë: nga qendra e Bashkisë, në lagjet e Sarandës, në shkolla e pranë dyerve të marketeve dhe pranë bizneseve të mëdha turistike. Në itinerarin e saj nuk mund të mos jetë Ksamili e pse jo edhe fshatrat pjesë e territorit të Bashkisë së Sarandës.

Lëvizja kulturuese “Sill një libër, merr një libër”, synon të na kujtojë e afrojë më shumë me librin, të ngrohë dëshirën e ftohur për leximin dhe t’i kthehemi miqësisë me librin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb