Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka vendosur të mbyllë aventurën e tij me skuadrën rrogozhinase në fund të këtij sezoni. Në një intervistë të gjatë dhe të detajuar, tekniku ka folur gjerësisht për vendimin e tij, duke ndalur theksin te arsyeja kryesore që lidhet me gjendjen shëndetësore, por edhe te ndikimi që kjo zgjedhje mund të ketë te skuadra.
Tetova ka treguar se gjithçka është marrë me qetësi dhe në mirëkuptim të plotë me presidentin Agim Demrozi, ndërsa ka dhënë mesazhe të qarta edhe për grupin, objektivat dhe vazhdimësinë deri në fund të kampionatit. Ai ka prekur gjithashtu tema të ndryshme si gjendja aktuale e ekipit, mungesat, gara për titullin, dënimi nga Komisioni i Disiplinës, si dhe zërat për të ardhmen e tij, duke e bërë intervistën një pasqyrë të plotë të situatës së tij dhe të Egnatias në këtë moment të sezonit.
“Kam marrë një vendim që është personal, ku në fund të sezonit do të ndahem nga ekipi i Egnatias. Me mirëkuptim dhe me bekimin e presidentit Demrozi. Kjo ka të bëjë vetëm me atë që unë kam kaluar me shëndetin tim, sepse rikthimi im në fushë ishte shumë i shpejtë dhe gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç duhet. Kjo është pika kryesore që më ka bërë të mendoj për një pushim të gjatë”, u shpreh fillimisht tekniku durrsak.
Si është gjendja juaj aktualisht?
Gjendja ime momentalisht nuk është e keqe. Normalisht është e stabilizuar, por më duhet të jem nën kontrollin e mjekut dhe mendoj se duhet të marr parasysh atë që thotë mjeku.
Sa mund të ndikojë ky vendim te skuadra në aspektin psikologjik?
Ka pasur pjesën psikologjike te lojtarët, por mendoj se jemi një grup profesionistësh. Siç e dini, e kam shprehur gjithmonë që Egnatia ecën në bazë grupi, bazat nuk i kemi ndërtuar tek individi. Kemi fituar, ashtu siç kemi humbur apo barazuar të gjithë. Unë lojtarëve ua kam bërë me dije dje që kjo është arsyeja dhe kam marrë mbështetjen e tyre që deri në fund të kampionatit do të luftojmë për objektivat e klubit.
A do të vazhdoni të qëndroni deri në fund të sezonit?
Patjetër që do të respektoj ndeshjet e mbetura dhe nuk do ta lë ekipin në këto momente. Nuk do të ishte profesionale kjo gjë. Siç e thashë, ne do të vazhdojmë të luftojmë deri në fund për objektivat e klubit.
Sa besoni se mund t’ia dilni sërish të fitoni trofe të rëndësishëm?
Absolutisht që jemi në rrugë të mirë. Janë edhe pak javë, ndeshje pas ndeshje vështirësohen gjërat, por ne besojmë. Grupin e kemi të plotë dhe besojmë se do të arrijmë drejt trofeut, që është fitimi i titullit kampion.
A lidhet vendimi juaj edhe me vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe frikën që ekipi nuk mund të performojë mirë në mungesën tuaj?
Edhe dënimi është një pjesë e asaj goditjeje dhe ndikon me atë që unë po kaloj me trupin tim. Unë kam marrë bekimin e presidentit që të vazhdoj punën me ekipin edhe kështu.
Zërat e lidhin të ardhmen tuaj sezonin e ardhshëm me Teutën. Si është e vërteta?
Në këto momente janë lajme portalesh. Siç e theksova, kjo ka të bëjë direkt me mua dhe do të ndjek këshillat e mjekut dhe më pas do të shoh se si do të jetë.
A do ta ndiqni çështjen tuaj në KAS dhe si e gjykoni që në raste të tjera nuk ka pasur si dënimi juaj?
Kjo është çështje që i përket klubit. Nuk kemi folur me drejtuesit për këtë gjë. Por mendoj se nëse kjo gjë i ka shërbyer futbollit tonë, atëherë do ta vazhdoj ta kryej dënimin.
Jeni ankuar për gjykimin, a po luhet drejt dhe ndershëm këtë sezon në Superiore?
Nuk është ky momenti për të folur për gjykimin. Nuk e kam tërhequr ekipin nga fusha, thjesht kam afruar ekipin për të parë gjyqtari VAR-in. Sa i përket garës, do ta shohim deri në fund se si do të shkojë.
Kujtimi më i bukur tek Egnatia?
Nuk ka mbaruar sezoni ende dhe kam ende punë për të bërë. Nëse do të arrijmë drejt trofeut këtë vit, mendoj se ky do të jetë viti më i bukur për Egnatian.
Si është gjendja para ndeshjes me Flamurtarin?
Momentalisht gjendja është e mirë. Kemi mungesa si Aleksin dhe Alijev për kartona dhe Sota që ka pësuar një dëmtim. Nuk e dimë gjendjen e Dajsinanit për një dëmtim të lehtë. Megjithatë, do të shohim para ndeshjes për të marrë një informacion më të saktë nga mjekët. Është ndeshje e vështirë, sepse Flamurtari vjen për ta fituar, pasi çdo rezultat e rrezikon objektivin. Egnatia ka objektiv tri pikët dhe do të synojmë fitoren.
Cili ka qenë momenti më kulminant që keni arritur?
Fillimet kanë qenë të vështira. Një trajner i ri vjen nga asgjëja, por suporti shumë i rëndësishëm nga presidenca dhe drejtori dhe liria që më është dhënë për të menduar për futbollin, na bëri që të besonim të gjithë. Sigurisht, vit pas viti duke parë edhe ecurinë e ekipit tonë, jemi munduar të bëjmë më mirë si në dalje ashtu edhe në prurje. Mendoj se kemi qenë në rrugë të mbarë, duke fituar disa trofe dhe duke qenë në çdo finale të mundshme.
A ju ka kërkuar presidenti ndonjë sugjerim se cili mund të jetë pasardhësi juaj?
Nuk kemi pasur një bisedë të tillë, sepse është shumë shpejt. Mendoj që, ashtu si e sheh Demrozi futbollin dhe mënyrën sesi e menaxhon, do të bëjë një zgjedhje të zgjuar.
