Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Korçë, ku një 21-vjeçare ka kallëzuar për ngacmim seksual kirurgun Nikolla Nunka, gjatë kohës që ishte e shtruar në spital pas një ndërhyrjeje për apendicitin.
Sipas dëshmisë së vajzës, ajo ishte paraqitur fillimisht në urgjencë me dhimbje të forta barku dhe të vjella, ndërsa pas analizave mjekët kishin vendosur operimin urgjent. Por ajo që duhej të ishte një periudhë trajtimi dhe kujdesi mjekësor, sipas saj, u kthye në një përjetim traumatik.
21-vjeçarja pretendon se gjatë ditëve të qëndrimit në spital, kirurgu që kujdesej për të ka kryer veprime të papërshtatshme, duke e prekur në pjesë intime nën justifikimin e kontrolleve mjekësore dhe madje, sipas saj, ka tentuar edhe ta puthë. Për rastin ka reaguar ashpër edhe babai i vajzës, i ardhur nga Gjermania me familjen për pushime në Shqipëri.
Ai rrëfen për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24 të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, se fillimisht nuk kishte asnjë dyshim ndaj mjekut, për shkak të profesionit dhe moshës së tij. Sipas dëshmisë së tij, mjeku e merrte shpesh vajzën vetëm në dhomë për “mjekim”, ndërsa gjyshes i kërkohej të dilte jashtë. Familja kishte besuar se gjithçka lidhej me trajtimin pas operacionit, deri në momentin kur vajza shpërtheu dhe tregoi për sjelljet e papërshtatshme të mjekut. Babai deklaron se menjëherë pas rrëfimit të së bijës ka njoftuar policinë dhe ka ndaluar kirurgun teksa po largohej me ambulancë, deri në mbërritjen e efektivëve. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të verifikuar akuzat e ngritura ndaj kirurgut. Rasti ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, ndërsa familja kërkon drejtësi dhe transparencë të plotë për atë që e cilëson një abuzim të rëndë të besimit ndaj pacientit. Në një bisedë telefonike për emisionin ‘Me zemër të hapur’ në News24, babai i vajzës tregoi se si e kishte marrë vesh ngjarjen tronditëse se si mjeku e kishte ngacmuar.
“Gjendja e vajzës është tronditëse. Qan në disa momente. Është e shqetësuar dhe nga komentet e njerëzve në rrejtët sociale. I thash mos lexo e dëgjo shumë, drejtësia dhe e vërteta do të dalë në shesh. Doktori i tha që do të jap një krem, t’ia bëjë nëna jote. I thash, në rregull doktor, do ia bëj. Dua që të më shërohet vajza që ta çoj shëndosh e mirë te nëna. Ai më tha; pa merak, do ta shoh si vajzën time. Kam frikë si do ja ketë bërë operacionin, se ça nuk kam dëgjuar për të. Se di jo, nëse ia bëri operacionin se ishte vetë sëmurë apo jo. Ekoja tregoi që nuk kishte apendicit. Kur ai pa analizat më tha; vajza i ka keq analizat, ka apendicit. Duhet ta bëjmë operim. Më tha do e operojmë në mëngjes. E bëmë operim në mëngjes dhe më pas e çuan vajzën në dhomë. Kur nëna ime ishte aty në dhomë, ai ia kishte aplikuar kremin vajzës. Aty ishte nëna, por i kishte thënë; kthehu mënjanë. Vajza më tha; e aplikoj vetë këtë kremin s’ka pse ma vë doktori. Kur e mora vesh, shkova dhe i thash; hajde këtu ti o kriminel. Ti je për burg. E denoncova dhe ai u shoqërua në polici. Ai më thoshte; aman, është keqkuptim. Ai është përballur me vajzën, por nuk e ka pranuar. Thotë është keqkuptim. Ish-gruas nuk i kam folur, s’di ça t’i them s’i dal dot para me këtë gjë që ndodhi. Se di se si një kriminel i tille, që ka qenë në burg, të vijë të punojë sërish në spital. I kam dëgjuar të gjitha akuzat për të.”, tha ai.
