Beteja e qeverisë për të rritur performancën financiare ngjason shumë si ato të Don Kishotit me mullinjtë e erës, sepse donkishoteske është tanimë jo vetëm shfaqja e qeverisë, por edhe veprimet e saj.

Donkishoti, ose kalorësi i Fytyrës së Vrerosur, ishte në kërkim të aksioneve për të shpëtuar të mirët e për të ndëshkuar të keqen, sepse kështu do të duhej të mbante titullin kalorësiak që i kishte veshur vetes. Edhe qeveria e socialistëve ia veshi titullin e lartë vetes kur pretendoi se do të rilindë ekonominë dhe tani është në kërkim të betejave absurde, sepse gjithnjë po ndeshet me mullinjtë e erës pa gjetur dot të keqen, sepse financat publike nuk po i përgjigjen pritshmërive të saj.

Sot, buxheti i qeverisë është në një deficit të ardhurash nga tatimet dhe doganat prej rreth 13.4 miliardë lekësh krahasuar me planin e fillimvitit. Pasi i hyri aventurës, duke shkatërruar taksën e sheshtë, që rezultoi efikase, tani rezultati tregon se objekti i saj ishte veç një mulli me erë sepse ishte më se e dukshme qysh herët që ky dështim do të ishte i pritshëm.

Vendosja e një regjimi të taksës ku zhvendosnin barrën drejt më të varfërve, goditej konsumi me akciza të rritura dhe taksa të orientuara gabim si në rastin e taksës së makinës së mjedisit, por që vilet mbi çdo litër karburant të shitur, dhe rritja e tatimit mbi dividendin me 50% ishin dukshëm arsye që do të prodhonin më pak të ardhura sepse në mungesë të likuiditetit, individët dhe biznesi do të ulnin shpenzimet ose do të tentonin të kalonin drejt zonës gri të ekonomisë.

Ndërkohë, administrimi fiskal nuk pati një seri politikash reformuese që t’i përballonin risqet e mjedisit të ri të krijuar nga kriza e Eurozonës, rritjen e borxhit publik dhe rënien e investimeve të huaja.

Sot, zëra të fuqishëm brenda mazhorancës së majtë pranojnë se politika ekonomike nuk kanë qenë efikase, sepse ishin të orientuara gabim.

Por, Donkishoti i editorialit tonë, ashtu si ai në veprat e Servantesit e ka një personazh të dytë që quhet Sanço Panço shërbëtor besnik, por sy e mendjehapur që, megjithëse e shikon se beteja për kalorësinë është një humbje e sigurt, është i destinuar të ndajë të njëjtin fat me atë të të zotit. Po kush është Sanço Panço ynë.

Realiteti i sotëm përafron me këtë personazh biznesin shqiptar. Ai nuk është i pakultivuar si personazhi i librave, por është aq syhapur e mendjemprehtë sa të kuptojë aventurat e qeverisë, por se fati i tij është i lidhur me buxhetin dhe sjelljet e kalorësve të fytyrës së vrerosur në qeveri. Sepse qeveria, tanimë, i ka hyrë një aventure tjetër, që në vend të politikave nxitëse, miqësore dhe efikase që përmirësojnë klimën e biznesit, rrisin besimin e për pasojë, edhe të ardhurat buxhetore, zgjodhi betejën e radhës të aksioneve që burgosin biznesin për evazion fiskal. Në stresin e ekzagjeruar të FMN-së, që kërkon rritje taksash, sepse nuk po arrin performancën e duhur buxhetore, qeveria po i hyn një tjetër aventure, që po tërheq me vete edhe ekonominë.

Përfitime nga kjo sjellje e qeverisë mund të ketë, por ato mbeten afatshkurtra, sepse i gjithë mjedisi ekonomik favorizon të tjera sjellje që kanë të bëjnë me kryerjen e reformave administrative dhe ligjore, lehtësimin e barrierave dhe sigurisht, drejtësi të barabartë ligjore. Me aq sa ka thënë qeveria deri tani, kjo është një tjetër aventurë. Dhe se Sanço i shkretë duhet të vuajë dalldisjet e të zotit. Është koha që kalorësit në qeveri të hapin sytë dhe të shihnin se ato që mendojnë se janë e keqja, nuk janë veçse mullinjtë me erë.

marre nga revista ekonomike, Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb