Në darkën e 13 marsit 2024, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit mësynë në banesën e ish Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar Evis Berberi duke e arrestuar nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash. Berberi ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të zv.kryeministres Balluku dhe Hekurudha Shqiptare është një institucion tjetër, ku Ministria e Infrastrukturës ka përfaqësuesit e saj të deleguar.
SPAK kishte zbuluar skemën si Berberi gjatë kohës që ka qenë në drejtues i Agjencisë për Efiçencën e Energjisë por edhe në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar ka dhënë 6 tendera kompanisë së ortakut të tij Valter Begaj “NET – GROUP” shpk. Nëpërmjet transaksioneve kjo kompani ia kalonte paratë kompanisë ‘DAAM”, që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte.
“Vetting” ka zbuluar një kontratë me probleme që është fituar nga kompania “NET – GROUP” shpk e ortakut të fshehtë të Berberit nëpërmjet një tenderi që ka patur indicie për korrupsion.
Konkretisht në tetor 2022 konsorciumi i kompanive “”MUHOPLUS LTD”, “VIANTE KONSTRUKSION” shpk, “ED KONSTRUKSION” shpk dhe “NET-GROUP” do të fitonin tenderin për “Riparim Vepra Arti (Mbrojtja e ures Hekurudhore te Rrogozhines) Projektim Zbatim” me ofertë 31,4 milionë lekë ose 314 mijë euro. Ky tender shënuar me flamur të kuq pasi Komisioni i Vlerësimit të Ofertave do të skualifikonte të gjitha kompanitë, duke u shpallur automatikisht fituese bashkimi i kompanive, ku bënte pjesë edhe ortaku i Berberit. Sipas “Openprocurement.al”, kjo procedurë ka indicie për korrupsion dhe favorizim kompanie, indicie të cilat do të paralajmëronin problemet me zbatimin e kontratës publike.
Nga informacionet e siguruara nga “Vetting”, për këtë kontratë nuk janë realizuar punimet dhe një pjesë e mirë e tyre kanë sjellë dëme në buxhetin e shtetit. E thënë sa më thjesht, ky tender është rasti tipik që ka dyshime të forta për korrupsion pasi kompanitë marrin paratë ndërkohë që nuk kryejnë punimet.
Çfarë ka ndodhur?
Në raportin e verifikimit për punimet e kryera për këtë tender zbulohet se kompanitë nuk kanë kryer punimet, por ajo që ka ekspozuar fondet përballë dëmit financiuar është mënyra se si duhet të ishte zbatuar kontrata.
KLSH: Hekurudha shqiptare me probleme
“Hekurudha Shqiptare” SHA ka patur dhe ka si administrator dy nga njerëzit më të afërt të zv.kryeministres Belinda Balluku, Gentian Liko në 2022 dhe Ergys Verdhon që është administratori aktual.
Gentian Liko ka qenë këshilltar i Ballukut te Ministria e Infrastrukturës dhe në 18 mars 2024 është liruar nga detyra për tu zëvendësuar nga Ergys Verdho. Ky i fundit ka qenë drejtor te Autoriteti Rrugor Shqiptar, te Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare për të kaluar së fundmi te Hekurudha Shqiptare sh.a.
Por pavarësisht ndryshimit të administratorëve dhe anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës, ku Balluku ka një rol thelbësor përsëri Hekurudha Shqiptare ka borxhe dhe humbje në bilancet e deklaruara.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, shoqëria publike nuk ka të hartuar dhe miratuar gjurmët standarde të auditimit, e cila detajon procedurat kryesore dhe siguron që të gjitha operacionet e njësisë publike të dokumentohen në formën që u mundëson audituesve të brendshëm, të jashtëm dhe autoritetit mbikëqyrës të kuptojnë mjedisin e kontrollit. Pra, që të realizohet një auditim për të finalizuar rezultatet kemi mungesa që nuk lejojnë zbulimet e problemeve,të cilat janë shkaktuar nga keqadministrimi i zyrtarëve të lartë. Sipas auditit, në këtë rast është shkelur ligji neni 16 i ligjit nr.10296, datë 08.07.2010, ndryshuar, “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, që lidhet me detyrimin për përgatitjen dhe dokumentimin e gjurmës së auditit.
(BalkanWeb)