VLORË

Janë drejt përfundimit punimet për rehabilitimin e plotë të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Vlorës. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka parë nga afër këtë investim, i cili synon të vendosë standarde bashkëkohore për banorët këtij qarku por edhe për turistët në sezonin e verës.

“Me këtë investim të ri sigurojmë që të rriten kapacitetet në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Vlorës, duke krijuar kështu një triazhim perfekt të rasteve, të cilat ndahen sipas kodeve të sëmundshmërisë dhe shkojnë direkt për pavione apo reanimacione. E dyta, kemi një mundësi që nëpërmjet të gjithë infrastrukturës së re që kemi krijuar, edhe pajisjeve dhe aparaturave të reja, të kemi një observim shumë më efektiv dhe një referim të të sëmurëve”,- tha Ministrja Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me dije se Urgjenca e re e Vlorës është një investim thelbësor edhe në kuadër të sezonit turistik.

“Rritja e kapaciteteve në këtë urgjencë do të na mundësojë që 45.000 qytetarë të priten gjatë një viti dhe janë 13.000 qytetarë vetëm në sezonin turistik që urgjenca pret dhe duke qenë një prej zonave që ka dhe një fluks turistik të rritur dhe tashmë ky sezon ka filluar, ne të mundemi që të japim një shërbim sa më të mirë për të gjithë pacientët dhe për të gjithë ata që vijnë në Vlorë për të kaluar pushimet dhe duhet të marrin shërbim shumë të mirë shëndetësor, të referuar me Urgjencën Kombëtare”, nënvizoi Manastirliu.

Urgjenca e re në Spitalin e Vlorës do të vendosë një standard bashkëkohor për qytetarët, një investim i Qeverisë shqiptare dhe Kooperacionit Italian. Përveç rikonstruksionit të ambienteve të urgjencës, do të garantohet edhe zbatimi i protokolleve dhe Procedurave Standarde Operacionale, duke nisur nga triazhimi i pacientëve, diagnostikimi, trajtimi dhe referimi i tyre në kohë pranë shërbimeve spitalore apo edhe për trajtime të specializuara në spitalet që ofrojnë shërbim terciar/universitar.

Me fuqizimin dhe modernizimin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Vlorë, do të kemi një pikë referimi jo vetëm për vizitorët e bashkisë Vlorë, por edhe të bashkive Sarandë dhe Himarë dhe turistëve në sezonin veror.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb