Pas sulmeve të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në fushata të ndryshme, kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i është kundërpërgjigjur me një status në Twitter.

“E vërteta është se Rama më ofroi shumë herë bakllava dhe po kaq herë e refuzova. Arsyeja: kishte shije të theksuar turke!,” shkruan Dule.

Sulmi i fundit ndaj kreut të PBDNJ-së erdhi nga kreu i qeverisë në fushatën përmbyllëse të Vlorës.

“Si mund të tallet dhe poshtërohet çështja çame nga Dashi i Havasë dhe një parti e lindur për të mbrojtur minoritetin të parkohet në garazh që Vangjeli dhe Dashi të hipin në autobus dhe minoriteti t’ju shkojë nga pas. Unë ju them vlonjatshe çamëve të Vlorës: Nëse në fletën e votimit në vend që ta bëni flamur kuq e zi, e bëni biletë autobusi për Dashin e Havasë, jazëk ju qoftë”.

Ndër të tjera Rama pranoi se: “Nuk kemi bërë asnjë mrekulli, nuk kemi bërë çdo gjë aq mirë sa duket sepse duhet shume e shumë akoma në çdo sektor dhe për çdo grup moshë në Shqipëri. Ama, besoj se ju kemi dhënë mjaftueshëm të gjithë shqiptarëve provën e ambicies, aftësisë dhe vullnetit për ta bërë shtet këtë vend,” u shpreh Rama më herët nga Vlora.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb